Mediat malazeze raportojnë se shqiptari Anton Gjini (Gjinaj) është arrestuar dy ditë më parë në kufirin e Malit të Zi. Sapo Gjini ka tentuar të kalojë kufirin në Rozajë, emri i tij ka dalë në listën e Interpol Madridit, pasi në vitin 2006 është kapur me 50 kg heroinë.
Në Shqipëri ky person konsiderohet si “bosi” i trafikut të drogës dhe pronar i një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit.
Çfarë shkruajnë mediat malazeze
Policia e Malit të Zi ka arrestuar Anton Gjinaj, 55 vjeç, një shtetas shqiptar i kërkuar nga Spanja për trafik droge dhe vuajtje të një dënimi me burg.
Gjinaj u arrestua në vendkalimin kufitar Rozaje dhe hetimi përcaktoi se ai ishte në kërkim nga NCB Interpol Madrid.
– Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua se ky person kërkohej nën një identitet tjetër nga NCB Interpol Madrid, në mënyrë që të vuante një dënim me burg prej tetë vjet e nëntë muaj për krimin e trafikut të drogës – shprehet ai në një deklaratë të policisë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.
Një gjykatës i Lartë ka urdhëruar ndalimin e tij në paraburgim derisa të verifikohet ekstradimi.