Ukraina është e teta dhe e fundit kombëtare e kualifikuar në cerekfinale të Euro 2020 ku do të përballet me Anglinë në Olimpico të Romës, pasi mposhti 2-1 Suedinë në kohët shtesë. Në Hampden Park të Glasgow u luajtën dy orë futboll pas 1-1 të fiksuar në kohën e rregullt me golat e Zinchenkos në minutën e 27′, barazuar nga Forsberg në të 43′. Në sekondën e fundit të kohës shtesë erdhi goli vendimtar i Dovbyk.
Me ankth, pa magjepsur por misioni është përmbushur për Andriy Shevchenkon që duke eliminuar Suedinë në Glasgow në kohën shtesë, e ka ngjitur Ukrainën e tij mes tetë më të mirëve në Evropë. U deshën dy orë lojë dhe shumë fat për Ukrainën që të merrte më të mirën përballë skandinavëve, të cilët u ndaluan dy herë nga shtyllat me Forsberg, por në fund goditja e Dovbyk bëri diferencën, pas kartonit të kuq të Danielsson për një ndërhyrje të egër ndaj Besedin.
90 minutat e rregullta dhuruan një lojë të ekuilibruar, të ndezur me fraksione e falë individualiteteve të Yarmolenkos në njërën anë dhe Forsberg në anën tjetër, pa një mbizotërim taktik të njërës prej dy ekipeve. Nga këndvështrimi i zotërimit të topit, kombëtarja e Andersson bëri diçka më shumë, por pas një rasti në secilën anë me Yaremchuk dhe Isak jo shumë preciz, ishte Ukraina ajo që theu ekuilibrin duke marrë avantazhin me Zinchenkon, që festoi në mënyrë polemike ndaj atyre që e kishin kritikuar atë ditët e fundit, duke i ftuar ata të heshtnin.
Me një gol në avantazh, Ukraina e Shevës bëri gabimin e tërheqjes disa metra mbrapa, duke ia lënë frenat e lojës Suedisë. Kështu erdhi edhe barazimi i Forsberg, me fak fat në devijimin që e dërgoi topin në rrjetë, por fare pa fat në dy konkluzione brilante të ndalura në shtyllë e traversë, për dëshpërimin e sulmuesit të Leipzig. Shtyllën e goditi edhe Sydorchuk, por diferencën në Hampden Park e bëri episodi i minutës së 98′ me kartonin e kuq të Danielsson për një ndërhyrje vrastare kundër Besedin. Në superioritet numerik skuadra e Shevchenkos gjeti golin vendimtar në sekondën e fundit, në minutën e 121 me goditjen e Dovbyk në krosimin e Zinchenkos. Gol që vlen cerekfinalen kundër Anglisë në Olimpico.