A mund të ligjërohet bakshishi për mjekët?

0

Nga Erion Dasho

Bakshishi ka hyrë thellë në sistemin shëndetësor shqiptar dhe jo vetëm. Përgjithësisht, kudo ku puna e mjekut dhe e infermierit është e papaguar siç duhet, shoqëria krijon mekanizma kompensimi.

Bakshishi është pranuar universalisht si një nga këto mekanizma dhe ka hyrë jo vetëm në praktikën e ofrimit dhe marrjes së kujdesit shëndetësor, por edhe në kulturën e popullatës. Deri në pikën, ku një familjar në hall, pa ja kërkuar kush, para se të pyesë se çfarë trajtimi i nevojitet të afërmit, pyet se sa para duhet të paguajë për mjekun. Kuptohet se kjo e kthen shërbimin shëndetësor në një proces të shëmtuar dhe e vendos mjekun në një pozicion aspak dinjitoz.

Ç’mund të bëhet? A mund të luftohet bakshishi në shëndetësi me policë dhe arrestime? Absolutisht jo! Po me rritje pagash? Sërish jo!

Policët nuk e zgjidhin problemin. Dy raste të dyshuara të bëra publike së fundi kanë qenë thjesht efekt kolateral i përgjimeve të bëra në funksion të çështjeve pa lidhje me sistemin shëndetësor. Një sistem diktatorial (drejt të cilit edhe mund të jemi duke shkuar) do të përgjonte gjithë qytetarët, por edhe atëherë proceset e dhënies dhe marrjes së bakshishit do të bëheshin jashtë komunikimeve elektronike.

Rritja e pagave të mjekëve po ashtu nuk e zgjidh problemin. Ajo krijon një barazi që mund të jetë e pëlqyeshme, p.sh. për mjekët e familjes, por jo për mjekët specialistë, sidomos për mjekët e specialiteteve të caktuara të cilët janë të mirëpaguar si në sektorin privat dhe nëpërmjet bakshisheve në atë publik.

Për mendimin tim, ligjërimi i bakshishit do të ishte një zgjidhje e preferuar që mund të aplikohet për një periudhë disa vjeçare.

Personi që dëshiron të japë një dhuratë për mjekun ose infermierin që i ka shërbyer, e depoziton dhuratën në një zyrë të ngritur enkas për këtë qëllim. Pjesa më e madhe e saj (p.sh. 50%) shkon tek mjeku ose infermieri i përmendur, 20-30% mund të shkojë për taksim dhe pjesa tjetër në një fond të përbashkët i cili i shpërndahet të gjithë pjesëtarëve të klinikës në fjalë.

Një zgjidhje e tillë që fillimisht mund të aplikohet si projekt pilot në një prej spitaleve të vendit, mund të ketë efekt real në çrrënjosjen përfundimtare të bakshishit ose mitmarrjes në sistemin shëndetësor shqiptar.

Artikulli i mëparshëm“Erdogan po shfrytëzon Tiranën”/ Mediat greke: Shqiptarët po përdoren si “kafshë për therje”, në shërbim të Vëllazërisë Myslimane
Artikulli i radhësSPAK, shpresë ASPAK