SPAK, shpresë ASPAK

0

Nga Andi Bushati

Të gjithë kryqtarët e reformës në drejtësi, të cfilitur nga gropat dhe dështimet e gjashtë vjeçare të asaj që u propogandua si fundi i erës së pandëshkueshmërisë, po i shohin lëvizjet se zbehta që SPAK ka bërë së fundi me lupën e stërmadhuar të atij që do të vendosë vullnetin vetjak mbi realitetin e gjërave. Një aksion në Lushnje, një bastisje mbi zyrtarët e një dikasteri hijërëndë si Ministria e Brendëshme, po shërbejnë si fija e flokut e bërë tra, ku po kërkojnë të mbahen për të parathënë fillimin e një ere të re.

Duke qenë në rolin e atij që nuk e kam parë punën e Prokurorisë së Posatçme vetëm nga pozicioni i vëzhguesit, por edhe nga ai i njeriut të përfshirë personalisht në hetime, unë e kam krijuar tashmë mendimin tim negativ. Askush nuk ma shlyen nga kujtesa marrjen në pyetje nga një prokuror special, që mbante krenarisht mbi tryezën e punës një flamur amerikan, por që ulte sytë si i zënë në faj kur i bëja pyetjen se përse, për vjedhjen e të dhënave të 910 mijë personave, nuk hetonte PS-në dhe organet shtetërore që i kishin tradhtuar qytetarët. Do të mjaftonte vetëm ky rast, kur organi i pjellë nga mitra e vullnetit perendimor u soll krejtësisht kundër asaj që mendonte Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, për të kuptuar se çfarë drejtimit po marrin gjërat me reformën në drejtësi.

Por, duke u nisur nga premisa që kjo është një çështje personale, e lidhur me punën si gazetar dhe zbulimin që bëri Lapsi.al, nuk po e fus aferën e patronazhistëve në këtë vëzhgim. 

Prandaj po përpiqem të analizoj atë që shohin shumica e njerëzve, një pjesë e të cilëve janë të dëshiruar të gënjehen se, më në fund, po vjen dita e ndëshkimit për ata që i grabisin përditë. Dhe se kjo dhuratë do i vijë nga SPAK.

As ngjarja e një tenderi 200 mijë eurosh në Lushnje, dhe as arrestimet e zyrtarëve të mesëm të Ministrisë së Brendëshme, që pretendohet se zgjodhën padrejtësisht kompaninë që do vishte më uniforma policinë, nuk ngjallin asnjë shpresë.

Shenjën e parë për atë që ndodhi në Lushnje e dha vetë kryeministri. Ai e flaku si një limon të shtrydhur kryebashkiakun Tushe, një standart që nuk e ka aplikuar për asnjë nga bashkëpunëtorët e vet të afërt, që janë akuzuar bashkë me të për aferat milionëshe ku janë përmendur.

Deviza se sa më pak të vjedhësh, aq më i cënuar je, është ilustrimi perfekt i kësaj historie. Në një mënyrë pak më të ndryshme këtë dëshmon edhe aksioni për tenderin e uniformave të policisë. Aty janë goditur vetëm ata për të cilët është dhënë leja për tu sakrifikuar. Sepse askush që e njeh sadopak realitetin e gjërave në këtë vend, nuk arrin të besojë që, për një buxhet 25 milionë eurosh, vendoskan disa burokratë të komisoneve të vlerësimit të ofertave. Se për thela kaq të mëdha nuk dikan gjë kretët e dikasterit.

Ka edhe një element shumë më të rëndë sesa kaq. Fakti se ministri i Brendëshëm Çuçi, e pushoi nga puna tetë ditë përpara se SPAK ta arrestonte një nga protagonistët e vegjël të kësaj loje të madhe, tregon se SPAK i ka hedhur të gjitha hapat duke marrë lejë tek qeveria. Pa pyetur për sekretin hetimor, pa skrupuj se ndërkohë hetimet mund të dëmtohen, prokurorët e postatçëm kanë qenë të shtetësuar se mos krisin imazhin e rilindjes.

Dhe këtu shqetësimi nuk është vetëm për faktin se në rjetat e drejtësisë përfundojnë gjithmonë peshqit e vegjël, sikurse ka ndodhur rëndom në këtë vend. Me këtë shqiptarët janë mësuar tashmë dhe kjo nuk u ngjall më emocion. 

Këtu e keqja është se tashmë e njëjta gjellë e ftohtë po serviret nga propaganda si një erë e re. Titujt e mëdhenj janë: “SPAK godet në Lushnje”, “SPAK arreston në Ministrinë e Brendëshme” ndërkohë që të gjitha janë lëvizje me miratim nga lart.

Që të gjithë atë që kërkojnë me këmbëngulje të shohin një notë pozitive në këto goditje, do të zhgënjehen një ditë. Madje shumë shpejt. Sepse thelbi i asaj që po ndodh është se kemi kaluar nga epoka e pandëshkueshmërisë në atë të ndëshkueshmërisë me leje politike. Dhe për një drejtësi të reformuar, që do të shitet si e pavarur, nuk dihet nëse është me keq, e para, apo e dyta.

Artikulli i mëparshëmA mund të ligjërohet bakshishi për mjekët?
Artikulli i radhësAksioni i EUROPOL: 46 të arrestuar që trafikonin shqiptarë drejt Britanisë dhe SHBA