Duke iu referuar studimit, mjeku shkruan se edhe 1 vit pas kalimit në mënyrë natyrale, anti-trupat janë të matshëm në masën 80 %.
“Gjetjet tona të neutralizimit afatgjatë të varianteve të përhapura gjerësisht B.1.1.7 (Alfa) dhe B.1.617.2 (Delta), 1 vit pas infektimit të parë, mund t’i ndihmojnë politikëbërësit e programeve të vaksinimit në vendet me burime të pakëta gjatë prioritizimit të numrit të kufizuar të vaksinave në dispozicion“, shkruan ai.
Postimi i plotë:
“Nëse me të vërtetë e dashuron Natyrën, do të zbulosh bukuri kudo.”
Cit.: Van Gogh
Sa zgjat imuniteti pas infeksionit natyror nga SARS-CoV-2?
A është i efektshëm ky imunitet edhe kundër variantit Delta?
Po me vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca, çfarë ndodh?
Miqtë e mi, këtyre pyetjeve u është përgjigjur një studim i detajuar i udhëhequr nga Universiteti i tretë në Europë dhe i teti në botë: Karolinska Institute (Suedi).
Në studimin e kryer në bashkëpunim me Agjencinë e Shëndetit Publik Suedi, Universitetin e Uppsalës dhe Institutin Mbretëror të Teknologjisë SciLifeLab, studiuesit e Karolinska Institute studiuan:
përgjigjen imunitare deri në 12 muaj pas infeksionit natyror, si edhe
përgjigjen imunitare ndaj varianteve shqetësues (me interes janë patjetër variantet Delta dhe Alfa), në
pacientët e shëruar pas infeksionit natyror,
personat e vaksinuar me dy doza Pfizer,
personat e vaksinuar me dy doza AstraZeneca, dhe
personat e vaksinuar me një dozë AstraZeneca dhe një dozë Pfizer.
E rëndësishme për interpretimin e rezultateve është të vëmë re se nuk është e njëjta kohë e kaluar pas imunizimit në grupet e ndryshme.
pas infeksionit natyror: 12 muaj,
pas vaksinës Pfizer: 30-55 ditë,
pas vaksinës AstraZeneca: 14-22 ditë.
Rezultatet janë sa të pritshme aq edhe inkurajuese!
Te personat e infektuar më parë:
12 muaj pas infektimit, antitrupat neutralizues dhe antitrupat IgG anti-S janë të matshëm në 80% të rasteve (83/104)
12 muaj pas infektimit, kapaciteti neutralizues ishte i njëjtë kundër:
variantit infektues origjinal (referencë),
variantit Alfa: 0.95 (0.92-0.98), dhe
variantit Delta: 1.03 (0.95-1.11).
Te personat e vaksinuar me dy doza Pfizer (30-55 ditë pas dozës së dytë), kapaciteti neutralizues ishte i njëjtë kundër:
variantit origjinal (referencë),
variantit Alfa: 1.01 (0.78-1.38), dhe
variantit Delta: 0.85 (0.64-1.14).
Te personat e vaksinuar me dy doza AstraZeneca (14-22 ditë pas dozës së dytë), kapaciteti neutralizues ishte i njëjtë kundër:
variantit origjinal (referencë),
variantit Alfa: 0.96 (0.84-1.09), dhe
variantit Delta: 0.82 (0.61-1.10).
Autorët dalin në përfundimet:
Rezultatet tona tregojnë një reduktim fillestar të antitrupave IgG që pastaj mbeten në nivele të qëndrueshme 12 muaj pas infektimit të lehtë nga SARS-CoV-2.
Këto antitrupa paraqesin aftësi neutralizuese kundër varianteve B.1.1.7 (Alfa) dhe B.1.617.2 (Delta) të ngjashme me aftësinë neutralizuese kundër variantit origjinal, aftësi e cila është e qëndrueshme në kohë, duke përfaqësuar një imunitet të fuqishëm kundër këtyre varianteve të shpërndara në të gjithë botën.
Gjetjet tona të neutralizimit afatgjatë të varianteve të përhapura gjerësisht B.1.1.7 (Alfa) dhe B.1.617.2 (Delta), 1 vit pas infektimit të parë, mund t’i ndihmojnë politikëbërësit e programeve të vaksinimit në vendet me burime të pakëta gjatë prioritizimit të numrit të kufizuar të vaksinave në dispozicion.
Ne mund ta harrojmë me naivitet Natyrën miqtë e mi, por Ajo kurrë nuk na harron ne!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë