Tensione te reja ne Kosove/ Pse ndodhi plagosja e 2 serbëve?

0

Plagosja e dy të rinjve në fshatin Drajkovc të Shtërpcës ka rritur menjëherë tensionet në Kosovë. Serbët lokalë kanë dalë në protestë dhe kanë bllokuar rrugën nga Prevalla në Shtërpcë. Bllokimi i rrugës është konfirmuar edhe nga policia e Kosovës.

Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari u tha medieve të Kosovës se kryetari i komunës së Shtërpcës dhe Policia e Kosovës janë duke negociuar me serbët lokalë për të liruar rrugët për shkaqe sigurie. Në komisariatin e policisë së Ferizajt janë parë që të shkojnë përforcime me Forcat Speciale për çdo agravim të situatës.

Çfarë ndodhi

Ngjarja që irritoi serbët ndodhi pasditen e së premtes. Një shqiptar i identifikuar si Azem Kurtaj qëlloi nga një makinë në lëvizje dy personat që po kalonin anës rrugës dhe që po mbanin një pemë Krishtlindjesh. Për pasojë u plagosën dy kushërinjtë Stefan Stojanoviç, 11 vjeç, dhe Millosh Stojanoviç 21 vjeç.

Përgjaken Krishtlindjet ortodokse në Kosovë, efektivi i FSK
Përgjaken Krishtlindjet ortodokse në Kosovë, efektivi i FSK

Fatmirësisht ata kanë marrë plagë të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën në spital. Babai i njërit prej tyre tha se nuk dinte kujt t’ja vinte fajin për ngjarjen dhe se ndihet keq që situata shkoi deri në këtë pikë.

“Nuk di kë të fajësoj, por nuk shkon kështu. Është vërtet e vështirë” – ka thënë Zvonimir Stojanviç për mediat e Kosovës.

Përgjaken Krishtlindjet ortodokse në Kosovë, efektivi i FSK

Policia e Kosovës tha se e ka arrestuar personin e dyshuar për ngjarjen. Në një reagim të shkurtër me telefon përpara se të dorëzohej në polici, 33-vjeçari tha se “nuk ishte përgjegjës për ngjarjen”. Motivet e asaj që ka ndodhur mbeten të paqarta.

Kush është Azem Kurtaj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj konfirmoi se ai është efektiv i ushtrisë së Kosovës. Mehaj tha se ai do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të FSK-së.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, – shkroi Mehaj në Facebook.

Më 25 nëntor të vitit të kaluar, Azem Kurtaj ishte mes ushtarëve të Kosovës që u dekoruan nga Ushtria e Shqipërisë. Babai i tij, Danush Kurtaj është dëshmor i UÇK-së. Ai mbeti i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 duke humbur jetën një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.

Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar ashpër ngjarjen.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, – ka shkruar Kurti në Facebook.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për incidentin, duke kërkuar që përgjegjësi të vihet para drejtësisë.

“Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”, – ka shkruar ajo. ©LAPSI.al

Beogradi akuzon

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka bërë akuza të forta për atë që ka ndodhur në Kosovë. Në një deklaratë zyrtare thuhet se “e ashtuquajtura Kosova është getoja e fundit në Evropë”.

“Ky është një tjetër në serinë e incidenteve të tmerrshme që tregojnë ashpërsinë e kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë çdo ditë. Kur dhuna e përditshme dhe sistematike nënvlerësohet vazhdimisht, atëherë ekstremizmi përhapet shpejt nga lidershipi i përkohshëm iluzion në të gjithë shoqërinë dhe krimet bëhen përditshmëri. Kosova është getoja e fundit evropiane” – thuhet në deklaratën e Brnabiç.

Edhe “Lista Serbe” fajësoi politikën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila sipas tyre është anti-serbe. “Sulmi është pasojë e drejtpërdrejtë e histerisë antiserbe të nxitur nga Albin Kurti’ – thuhet në një njoftim. Ndërsa zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, që drejtohet nga Petar Petkoviç, ka thënë se kjo ishte një tentativë për të vrarë fëmijët e pafajshëm serbë.

Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelji thotë se pret një hetim të plotë nga autoritetet për ngjarjen e ndodhur. “Jam i tronditur nga sulmi ndaj dy fëmijëve në Shtërpac. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për asnjë dhunë’ – nënvizoi Varhelji teksa u uroi të plagosurve shërim të shpejtë. 

Ndërsa ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott shprehu shqetësim për sulmin ndaj dy të rinjve serbë. “I shqetësuar kur dëgjova për një sulm ndaj dy të rinjve serbë të Kosovës dhe mirëpres arrestimin e shpejtë të të dyshuarit. U uroj shërim të shpejtë’ – shkroi ai.

Artikulli i mëparshëmE plotë/ Si i vodhi pastruesja eurot në shtëpinë e zyrtares së kryeministrisë
Artikulli i radhësLazio humb dy gola avantazh 7 minutat e fundit ndaj Empoli: paqe mes Spezia e Lecce