“Vuçiç shpërthen me ironi ndaj politikanëve serbë për deklaratat mbi njohjen e Kosovës”

0

Në një video-mesazh në Instagram, presidenti serb Vuçiç deklaroi se kurrë nuk do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, duke ironizuar politikanët serbë që përhapin gënjeshtra të tilla. Ai theksoi vendosmërinë e tij për t’u përmbajtur Kushtetutës së Serbisë, duke u përgjigjur akuzave nga disa parti opozitare.

Partitë e djathta në Serbi janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, e arritur në fillim të vitit midis Serbisë dhe Kosovës, dhe kanë bërë thirrje për ndërprerjen e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po zhvillohen nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) që nga viti 2011.

Marrëveshja e Ohrit, e arritur në mars në Maqedoninë e Veriut nga presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes ndërmjetësimit të BE-së, është një aneks për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë vizitës së saj në Beograd më 31 tetor, ku u takua me presidentin Vuçiç, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit implikon njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës. Ajo shpjegoi se marrëveshja parashikon hapa të ndryshëm, duke përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.

Von der Leyen theksoi se kjo hap rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke qenë një parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane të dy vendeve. Megjithatë, Vuçiq në një konferencë të përbashkët për media deklaroi se Serbia është e gatshme të përmbushë obligimet nga dialogu, por njohja e Kosovës nuk është në pyetje për vendin e tij.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbetet një parakusht kyç për anëtarësimin e tyre në BE.

Artikulli i mëparshëmTensionet politike në vend: Partitë në gjendje gatishmërie për zgjedhje të parakohshme
Artikulli i radhësSulm i tmerrshëm në Durrës: Dy qen “Pitbull” shqyejnë të moshuarin