Tirana u përball sot me një bllokim masiv trafiku prej 10 kilometrash në qendër të kryeqytetit, për shkak të vendimeve të pa paralajmëruara nga Policia Rrugore. Burime të besueshme brenda radhëve të policisë, që kërkuan të mbeten anonime, kanë zbuluar se këto veprime erdhën me urdhër të drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Ky veprim i paarsyetuar ka shkaktuar zemërim të madh te qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve, duke ngritur pyetje për mënyrën se si menaxhohet rendi në një kryeqytet që gjithnjë e më shumë po përballet me ngarkesa infrastrukturore.
Në një epokë ku mjetet e komunikimit masiv janë të avancuara dhe të aksesueshme, bllokime të tilla të pa paralajmëruara janë të papranueshme. Kryeqyteti nuk mund dhe nuk duhet të vihet në kaos pa një arsye të qartë dhe pa dhënë askush llogari.
Në vend që të veprohet në emër të transparencës dhe mirëqenies publike, veprimet e fundit e paraqesin Policinë e Shtetit si një pronë private, duke minuar besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Situata të tilla kërkojnë reagime të menjëhershme dhe masa për të shmangur përsëritjen e kaosit në të ardhmen.