Mëngjesin e 6 dhjetorit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) trokitën në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në zonën e Kodrës së Diellit. Me vete, ata mbanin një vendim të Gjykatës së Posaçme që u jepte të drejtën për kontrollin e shtëpisë dhe sekuestrimin e celularit të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt.
Në atë mëngjes, Xoxa ndodhej e vetme në shtëpi dhe la agjentët në pritje derisa mbërriti avokati i saj për të mbikëqyrur veprimet. Ndërkohë, Veliaj ndodhej në Hamburg për një takim dhe u kthye në orët e pasdites.
Kontroll në disa ambiente dhe kompani
Pas kontrollit në banesën e çiftit Veliaj-Xoxa, agjentët e BKH-së vijuan kontrollin edhe në zyrën ligjore dhe galeritë e administruara nga Ajola Xoxa, në kompaninë e të vëllait të Veliajt, Arbër Veliaj, si dhe në vilat e tij në Qerret dhe disa kompani të tjera.
Reagimi i Veliajt
Pak ditë më vonë, Veliaj reagoi duke deklaruar se agjentët e BKH-së kishin kryer kontrolle pa pasur një vendim gjykate. Në një deklaratë publike, ai shkroi:
“Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor.”
Vendimi i gjykatës dhe hetimet
Vendimi i Gjykatës së Posaçme, tregon se gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, bazuar në kërkesën e prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado, ka autorizuar kontrollet për të mbledhur prova në funksion të hetimeve.
Prokurorët pretendojnë se Veliaj dhe të afërmit e tij kanë përfituar para në mënyrë të paligjshme përmes lidhjeve me kompanitë e Elman Abules, një biznesmen i akuzuar për pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar.
Skema e pastrimit të parave
Prokuroria ka akuzuar Abulen dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin, për ngritjen e një skeme që përfshinte pastrim parash në shuma që arrijnë deri në 50 milionë euro. Këto para dyshohet se janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Në dosje, Abule përshkruhet si një personazh me precedentë penalë në Belgjikë për vepra të tilla si vjedhje dhe krijim bande. Prokuroria pretendon se skema e pastrimit të parave është zgjeruar duke përfshirë edhe lidhje me individë të afërt me Erion Veliajn.
Akuzat për Veliajn dhe familjarët e tij
Sipas prokurorëve, të afërmit e Veliajt kanë marrë përfitime financiare përmes kompanive dhe individëve me interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë e Tiranës. Transaksionet e dyshimta, kontratat fiktive dhe faturat janë konsideruar si prova që sugjerojnë përfitime të parregullta.
Vendimi i gjykatës thekson se hetimet kanë evidentuar një rrjet kompleks marrëdhëniesh financiare që synonin fshehjen e origjinës së paligjshme të fondeve.
Hetimet vijojnë
Prokuroria ka sekuestruar disa prova, përfshirë celularë dhe dokumente elektronike, të cilat po analizohen për të hedhur më shumë dritë mbi transaksionet dhe aktivitetet e dyshimta të lidhura me këtë çështje.
Hetimet pritet të përqendrohen edhe më tej në zbardhjen e lidhjeve mes Veliajt, të afërmve të tij dhe kompanive të përfshira në këtë rrjet.
Vendimi i plotë i Gjykatës për Kontrollin në Banesën e Erion Veliajt
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga:
GJYQTARE – ATALANTA ZEQIRAJ
Sot, më datë 05.12.2024, mori në shqyrtim në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore, kërkesën penale nr. 698 regj. themeltar që i përket:
Kërkues: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, përfaqësuar nga prokurorët z. Altin Dumani dhe z. Ols Dado.
Objekti: Kontroll personal/i vendeve dhe banesave.
Baza ligjore: Nenet 202, 202/a, 203, 204, 205, 206, 207, 298 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata, në zbatim të nenit 202/a parag. 3 të K.Pr. Penale, pasi mori në shqyrtim në Dhomë Këshillimi kërkesën penale, si dhe shqyrtoi aktet dhe çështjen në tërësi, vëren se:
—
I. Rrethanat e faktit
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale e cila ka marrë nr. 698 regj. themeltar.
2. Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e kallëzimit penal, ka regjistruar procedimin penal nr. 27/të vitit 2024. Ky procedim penal është regjistruar lidhur me veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë,” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Në funksion të hetimit, nga ana e Prokurorisë së Posaçme janë kryer një sërë veprimesh hetimore. Në përmbledhje të veprimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit paraprak, konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që:
Anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë.
Këto transaksione, të cilat dyshohet të kenë mundësuar më pas përfitime të parregullta për familjarë të ngushtë dhe të tjerë familjarë të afërt me Kryetarin e Bashkisë, konstatohet të jenë realizuar përmes një strukture komplekse të marrëdhënieve financiare që ka për qëllim final integrimin (injektimin) e vlerave monetare në sistemin bankar, duke fshehur në këtë mënyrë origjinën e tyre të paligjshme.
3. Në dinamikën e hetimit, më datë 05.12.2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar gjykatës me kërkesën:
Lejimin e kontrollit personal të shtetasve:
i. Ajola Xoxa
ii. Arbër Veliaj
iii. Elman Abule
iv. Marisa Nito
v. Adela Kondakçiu
vi. Driant Zeneli
Lejimin e kontrollit të ambienteve dhe banesave të mëposhtme:
Zyrat e PARTNERS LAW SHPK, Nan Gallery SHPK, Ava Studio SHPK, dhe të tjera sipas listës së dorëzuar në gjykatë.
Banesat dhe vilat e Arbër Veliaj në Qerret dhe Kodra e Diellit.
II. Vlerësimi i gjykatës
Pas shqyrtimit të akteve dhe provave të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, gjykata çmon se kontrollet e kërkuara janë të nevojshme dhe të domosdoshme për sigurimin e provave që lidhen me veprën penale nën hetim.
Vendimi:
Gjykata vendos të lejojë kontrollet e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, duke përfshirë sekuestrimin e pajisjeve elektronike, dokumenteve dhe provave të tjera relevante për hetimet.
Firmosur,
GJYQTARE – ATALANTA ZEQIRAJ