
Një shpërthim me eksploziv ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Lezhës, ku një sasi lënde plasëse është vendosur në zyrën noteriale të Fran Gjonit. Ngjarja ka ndodhur pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”, në qendër të qytetit.
Fatmirësisht, shpërthimi nuk ka shkaktuar të lënduar, por ka sjellë dëme materiale të vogla në ndërtesën ku ndodhet zyra. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentin kur dy persona, të pamaskuar, vendosin eksplozivin dhe largohen nga vendngjarja.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po shqyrtohet edhe një pistë e mundshme lidhur me angazhimet familjare të noterit. Fran Gjoni është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili vitin e fundit u përfshi në politikë si kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë dhe së fundmi ka kandiduar për primaret e kësaj force politike për një mandat deputeti.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi motivet e mundshme të sulmit.