
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-presidentin dhe liderin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Menjëherë pas këtij vendimi, Meta ka reaguar me një mesazh audio nga qelia, duke e quajtur një “pengesë fiktive” që do ta çojë më shpejt drejt Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“11 maji do të jetë dita historike kur do të ndahemi nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij. Sot hodhëm një hap pozitiv sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Strasburgut. Pa asnjë diskutim, do të fitojmë, ashtu siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër Ramaformës,” u shpreh Meta.
Ai e konsideroi këtë vendim si një përpjekje për ta mbajtur atë të izoluar politikisht, ndërsa i bëri thirrje mbështetësve të tij të përgatiten për protestën e 11 majit, që sipas tij do të jetë një “revoltë kombëtare për rrëzimin e regjimit”.
“Mos harroni se 2 marsi po vjen, viti i pestë i mitingut kombëtar për mbrojtjen e Kushtetutës. Atëherë çmontuam Ramaformën, tani do të çmontojmë edhe këtë regjim. Shqiptarët duhet të regjistrohen për të marrë pjesë në 11 maj, dita kur do të hidhet në Lanë narko-regjimi, ashtu siç ndodhi me regjimin e Sorosit në Maqedoninë e Veriut,” shtoi Meta.
Në reagimin e tij, Meta akuzoi qeverinë për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të monitorojnë procesin ligjor ndaj tij.
Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Pas këtij vendimi, avokatët e Metës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke argumentuar se procesi kundër tij është politik dhe nuk ka bazë ligjore. Nga ana tjetër, prokurorët këmbëngulin se Meta duhet të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për çështjet ku ai akuzohet.