
Newcastle United vazhdon të impresionojë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, duke investuar në infrastrukturën e klubit. Së fundmi, ekipi ka prezantuar autobusin më luksoz në botë, i cili do të përdoret për udhëtimet e brendshme dhe ato europiane.
Me një dizajn elegant dhe modern, autobusi ka xhama të errësuar, tavan panoramik dhe sedilje ultra-komode për të garantuar rehatinë maksimale të lojtarëve gjatë rrugës. Një nga veçoritë më të veçanta është kuzhina e integruar, e pajisur me lavaman, mikrovalë, frigoriferë dhe një makinë ekspresi për kafe, duke i lejuar lojtarët të konsumojnë vakte të ngrohta dhe të freskëta gjatë udhëtimit.
Përveç komoditetit, autobusi është pajisur me televizorë të shpërndarë në të gjithë ambientin, duke u mundësuar futbollistëve të ndjekin analizat taktike apo ndeshjet e tjera të rëndësishme. Ky investim është pjesë e projektit ambicioz të pronarëve të Newcastle, të cilët prej vitit 2021 synojnë të kthejnë klubin në një nga më të fortët në Angli dhe Europë.
Me këtë hap të ri, Newcastle jo vetëm që përmirëson kushtet e lojtarëve, por edhe vendos një standard të ri në luksin dhe teknologjinë e transportit sportiv.