
Sokol Kryeziu është një nga emrat kryesorë të përfshirë në “Dosjen Veliaj”, i cili sipas hetimeve të SPAK ka përfituar 23 tendera me vlerë totale 6 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.
Ai ka pasur një karrierë të pazakontë, duke kaluar nga punë të zakonshme si fshesar në Drejtorinë e Pastrim-Gjelbërimit, punëtor ngarkim-shkarkimi dhe faturino, deri te blerja e kompanisë “Gerard-A” për 33.4 milionë lekë. Hetimet ngrejnë dyshime se Kryeziu është një “biznesmen fasadë”, pasi kompania e tij mund të kontrollohet nga një tjetër person.
Kryeziu është gjithashtu i përfshirë në blerjen e 50 milionë lekëve piktura nga “NAN Gallery”, e cila kontrollohet nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kjo ka shtuar dyshimet mbi një skemë të mundshme korrupsioni mes biznesmenit dhe pushtetit vendor.
Aktualisht, ai është nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, pasi ndodhej jashtë vendit gjatë hetimeve. Skandali i tij është një tjetër rast që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë dhënë tenderat publikë në Tiranë.