
Tiranë – Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas burimeve, Alushi ka qëndruar për një periudhë të shkurtër brenda godinës së SPAK dhe më pas është larguar pa dhënë deklarata për mediat. Arsyet e thirrjes së tij mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk dihet nëse ai është dëshmitar apo i përfshirë në një çështje hetimore specifike.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kanë drejtuar një letër të hapur Policisë së Shtetit. Në këtë letër është kërkuar sqarim mbi mosreagimin e efektivëve të policisë gjatë një proteste para institucioneve të drejtësisë, në momentin kur Erion Veliaj ndodhej në seancën e caktimit të masës së sigurisë.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare mbi arsyet e paraqitjes së Alushit në SPAK, ndërkohë që pritet që organet e drejtësisë të japin më shumë detaje në ditët në vijim.