
Një aksident fatal ka ndodhur këtë të shtunë në Kamëz, ku një fëmijë 2-vjeçar është përplasur nga një automjet pranë banesës së tij në Fushë Domje.
Drejtuesi i makinës, Y. M., 57 vjeç, komshi me viktimën, u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes. Fillimisht, familjarët transportuan të miturin në poliklinikën e Kamzës, ndërsa më pas ai u dërgua në Spitalin e Traumës, ku fatkeqësisht humbi jetën.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ngjarja ka ngritur sërish shqetësimet mbi sigurinë rrugore dhe mungesën e masave parandaluese për mbrojtjen e këmbësorëve, veçanërisht fëmijëve.