“Bacha bazi” në Afganistan: Abuzimi tragjik i djemve që nuk po ndalet

0

Në dhomat e errëta të takimeve private në Afganistan, djem të rinj, të lyer me grim dhe të veshur me rroba të ndritshme femrash, detyrohen të kërcejnë për argëtimin e njerëzve me pushtet. Por këta fëmijë – disa prej tyre vetëm dhjetë vjeç – nuk janë thjesht kërcimtarë. Ata janë viktima të Bacha Bazi, një praktike të lashtë që shpesh i kthen në skllevër seksualë të elitës afgane.

Ky ritual barbar, emri i të cilit përkthehet si “lojë me djem”, ka mbijetuar prej shekujsh, duke sfiduar perandori, luftëra dhe trazira politike. Ndërkohë që Talebanët pretendojnë se e kundërshtojnë këtë fenomen, ai vazhdon të ekzistojë si një sekret i hapur.

Një raport i vitit 2024 nga qeveria britanike konfirmon se djemtë mbeten në rrezik të lartë të shfrytëzimit seksual përmes Bacha Bazi, me këtë praktikë që lulëzon nën të njëjtët komandantë dhe klane që kanë sunduar Afganistanin për breza të tërë.

Disa djem raportohet se pranojnë vetë këtë jetë, por shumë të tjerë shiten nga familjet e tyre të varfra, të cilat përpiqen të mbijetojnë. Ka edhe nga ata që rrëmbehen, madje edhe nga oficerë policie – ata që supozohet të ndalojnë këtë fenomen. Viktimat shpesh përballen me dhunë edhe pasi kthehen në shtëpi, ndërsa pezullimi i ndihmave ndërkombëtare që nga kthimi i Talebanëve në pushtet më 2021 i ka lënë ata pa mbështetje dhe pa qendra rehabilitimi.

E gjithë kjo ndodh në një vend ku homoseksualiteti dënohet me vdekje, ndërsa pederastia supozohet të ndëshkohet me burgime të gjata.

Historia e një tradite të errët

Rrënjët e Bacha Bazi shtrihen deri në shekullin e 13-të, një praktikë që është dokumentuar gjerësisht nga historianë dhe vizitorë të huaj. Megjithatë, një nga rikthimet më të famshme të kësaj tradite ndodhi gjatë luftës së muxhahedinëve kundër Bashkimit Sovjetik në vitet 1980. Komandantët afganë, të cilët luftonin pushtimin sovjetik, njiheshin për mbajtjen e djemve të vegjël si pronë personale, duke i trajtuar si simbol statusi dhe objekte abuzimi.

Kur Talebanët erdhën për herë të parë në pushtet në vitet 1990, ata pretenduan se lufta kundër kësaj “perversiteti” të komandantëve lokalë ishte një nga qëllimet e tyre kryesore, duke e shpallur atë të jashtëligjshme. Por pas rrëzimit të Talebanëve më 2001, gjatë pushtimit amerikan, strukturat e vjetra të pushtetit u rikthyen – dhe bashkë me to edhe Bacha Bazi.

Trupat amerikane dhe britanike që shërbenin në Afganistan ishin të vetëdijshëm për këtë praktikë mizore, por shpesh nuk ndërhynin. Ish-ushtari amerikan Lance Corporal Gregory Buckley Jr. i kishte treguar babait të tij se mund të dëgjonin ushtarët afganë duke abuzuar me djemtë gjatë natës në bazat ushtarake, por nuk u lejohej të bënin asgjë.

Një tjetër oficer i forcave speciale amerikane, Dan Quinn, u largua nga detyra dhe nga Afganistani pasi kishte sulmuar një komandant afgan të mbështetur nga SHBA, i cili mbante një djalë të lidhur në shtrat si skllav seksual.

“Arsyeja pse erdhëm këtu ishte se na thanë për mizoritë e Talebanëve,” – deklaroi ai më vonë. “Por ne po ndihmonim njerëz që ishin më të këqij se Talebanët.”

Talebanët dhe realiteti i sotëm

Pas tërheqjes së trupave amerikane në vitin 2021 dhe rikthimit të Talebanëve në pushtet, mund të mendohej se kjo praktikë do të ndalohej përsëri. Zyrtarisht, Bacha Bazi është e ndaluar. Në realitet, ajo vazhdon të jetë e përhapur.

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2024 zbuloi se vetë zyrtarë talebanë janë përfshirë në skllavërinë seksuale, përfshirë përdorimin e fëmijëve si ushtarë dhe si viktima të abuzimit. Ministria e Talebanëve për Mbikëqyrjen e Moralit fokusohet kryesisht në sjelljen e grave, ndërsa Bacha Bazi vazhdon të ndodhë në fshehtësi.

Shumë nga të njëjtët njerëz që ishin komandantë para vitit 2001 – ish-muxhahedinët, liderët fisnorë dhe elitat e pasura – vazhdojnë të kenë pushtet edhe nën sundimin e Talebanëve. Dhe me Afganistanin më të izoluar se kurrë, ka pak presion ndërkombëtar për ta ndaluar këtë praktikë.

Djem të rinj vazhdojnë të blihen, të shiten dhe të përdhunohen – ndonjëherë nga vetë ata që pretendojnë të ruajnë moralin strikt të Talebanëve.

Një cikël pa fund dhune dhe abuzimi

Kur djemtë merren nga familjet e tyre ose rrëmbehen, ata detyrohen të veshin rroba grash dhe të bëhen objekte abuzimi sistematik. Raporte nga organizatat e të drejtave të njeriut tregojnë se shumë fëmijë janë të dënuar me një jetë të mbushur me dhunë.

Pasi rriten dhe fillojnë të kenë qime në fytyrë, ata shpesh hidhen në rrugë, bëhen prostituta, drogohen ose kryejnë vetëvrasje.

Një raport i Komisionit të Pavarur të të Drejtave të Njeriut të Afganistanit thekson:

“Viktimat e Bacha Bazi vuajnë nga trauma të rënda psikologjike. Ata përballen me stres ekstrem, humbin çdo ndjenjë besimi dhe shprese. Tek ta zhvillohet frikë, ndjenja hakmarrjeje dhe urrejtjeje.”

Për fat të keq, shumë nga ata që kanë qenë viktima të Bacha Bazi në fëmijëri, rriten duke marrë vetë djem të rinj dhe duke përsëritur ciklin e abuzimit.

“Në mungesë të ndonjë shërbimi për rehabilitim, është e vështirë të dihet se çfarë ndodh me këta fëmijë,” – shprehet ekspertja Charu Lata Hogg. “Raportet tregojnë se shumë prej tyre vazhdojnë këtë cikël abuzimi dhe mbajnë vetë ‘bachas’ kur rriten.”

Bacha Bazi mbetet një nga krimet më të tmerrshme të shekullit XXI, që vazhdon të ndodhë në një nga vendet më të izoluara dhe më të braktisura nga bashkësia ndërkombëtare. Me pak vëmendje nga bota dhe pa ndëshkime për abuzuesit, fëmijët afganë vazhdojnë të jenë viktima të një tradite të errët që nuk njeh fund.

Artikulli i mëparshëmRama finalizon listat e PS për zgjedhjet e 11 majit – Kandidatë të rinj dhe riformatim politik
Artikulli i radhësNdërron jetë ish-deputeti i PS-së, Andis Harasani