
Një ditë para seancës së apelit për lirimin me kusht të Erion Veliajt, ekipi i avokatëve të tij zhvilloi një vizitë në paraburgimin e Durrësit. Takimit iu bashkua edhe Joshua Roberts, këshilltar ligjor amerikan dhe përfaqësues i studios Kasowitz Benson Torres LLP, e cila po këshillon Veliajn në këtë proces.
Deklarata e këshilltarit amerikan
Pas vizitës, Roberts theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare dhe paralajmëroi se do të ndjekë nga afër procesin gjyqësor.
- “Në Shtetet e Bashkuara, ndalimi i qytetarëve para gjykimit ndodh vetëm nëse ata paraqesin rrezik arratisjeje ose rrezik për shoqërinë,” u shpreh ai.
- “Mbajtja e një politikani në paraburgim pa akuza të qarta dhe pa një rrezik të justifikuar është në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë.”
- “Nesër do të ndjek nga afër argumentet e apelit për çështjen e Kryetarit Veliaj.”
Kush është Joshua E. Roberts?
Joshua Roberts është një avokat me përvojë në litigimet komplekse tregtare dhe mbrojtjen ndaj hetimeve federale, i cili ka përfaqësuar korporata të mëdha, fonde investimesh, ekzekutivë dhe individë të profilit të lartë në çështje me ndikim të madh në SHBA. Ai është pjesë e Kasowitz Benson Torres LLP, një firmë ligjore elitare në Amerikë.
Përpara se të bashkohej me këtë firmë, ai ka punuar në një studio ligjore kombëtare për gjashtë vite dhe ka shërbyer si asistent ligjor për gjyqtarin federal Arthur D. Spatt në Gjykatën e Distriktit Lindor të Nju Jorkut.
Seanca e apelit për lirimin e Veliajt
Nesër, Apeli i GJKKO-së do të shqyrtojë ankimimin e Veliajt ndaj vendimit të shkallës së parë, që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua më 10 shkurt me urdhër të SPAK dhe po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Procesi pritet të zhvillohet nën një vëmendje të lartë publike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Gjykata e Apelit do të pranojë lirimin e tij me kusht apo do të konfirmojë masën e paraburgimit.