Goditet organizata shqiptare e drogës në Itali: 5 milionë euro kokainë dhe hashash, 19 të përfshirë – përfshi edhe një 90-vjeçar korrier

0

Një organizatë kriminale shqiptare me bazë në Bolonja të Italisë është goditur nga autoritetet italiane në një operacion ndërkombëtar antidrogë, ku u zbuluan detaje tronditëse për përmasat dhe strukturën e saj.

19 persona janë vënë nën hetim, ndërsa 5 janë arrestuar, mes tyre 4 shqiptarë dhe një tunizian, të gjithë të moshës 30–50 vjeç. Ajo që bie në sy është përfshirja e një 90-vjeçari, i cili shërbente si korrier droge për organizatën.

Grupi trafikonte drogë nga portet e Evropës në Itali, duke përdorur komunikime të koduara përmes aplikacionit SKY ECC. Krerët e bandës ishin xhaxha dhe nip shqiptarë, njëri me bazë në Barcelona dhe tjetri në Bolonja, që drejtonin operacionet me saktësi ushtarake.


Detajet e operacionit:

  • Gjatë aksioneve në Rimini, Treviso, Verona dhe Madrid, u sekuestruan:
    • 799 kg lëndë narkotike (41.5 kg kokainë, 76.5 kg marihuanë, 280 kg hashash)
    • 15 mijë euro cash
    • armë dhe municione
    • makina dhe pajisje për paketimin e drogës
  • Drogat fshiheshin në kamionë dhe përdoreshin për shpërndarje me pakicë në Itali. Fitimet më pas riinvestoheshin në Shqipëri për të furnizuar cikle të reja trafiku.

Pika e kthesës në hetim

Policia italiane nuk mundi të deshifronte mesazhet e koduara deri në vitin 2021, kur autoritetet belge, holandeze dhe franceze arritën të hakonin sistemin SKY ECC. Më pas, Prokuroria e Bolonjës nisi përkthimin e mesazheve, duke identifikuar strukturën dhe anëtarët e grupit.

Sipas Natalia Riga, zëvendësdrejtoreshë e policisë, hetimi ishte një sfidë për shkak të teknologjisë së avancuar që përdornin të dyshuarit, përfshi telefonë të modifikuar kundër përgjimit dhe përdorim të kujdesshëm të fotove dhe videove për të ndarë informacion.


Drejtuesit shqiptarë të organizatës

Kreu i grupit, një shqiptar rreth të dyzetave, banonte në Bolonja dhe ishte truri pas importeve, cilësisë së drogës, përzgjedhjes së korrierëve dhe menaxhimit të financave. Gjatë hetimit, ai u zhvendos në Barcelonë, ku u arrestua, dhe komanda kaloi te nipi i tij në Itali.

Të dy shqiptarët ishin figura kyçe, që drejtonin me metoda moderne dhe rreptësi një rrjet të sofistikuar kriminal, me degë në disa qytete të Evropës.


Artikulli i mëparshëmArrestohet në Spanjë një 33-vjeçar shqiptar me 799 bimë marijuanë në makinë
Artikulli i radhësPapa Françesku del nesër nga spitali pas më shumë se një muaji trajtimi për pneumoni të dyfishtë