
Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar ndalimin e lundrimit për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit nga data 23 mars deri më 25 mars 2025, për shkak të moti të keq dhe kushteve të rënda detare.
Po ashtu, është anuluar lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike, çka parashikohet të ndodhë pas orës 22:00 të datës 24 mars.
Kushtet atmosferike të parashikuara për datat 23-25 mars përfshijnë:
- Drejtim ere JUG – JUGLINDJE, me forcë 8-9 ballë Beaufort
- Shpejtësi ere deri në 40 m/s
- Dallgë deti nga 2.5 deri në 4.5 metra
Masat e marra për siguri maksimale përfshijnë:
- Ndalim të pajisjes me leje-nisje për të gjitha mjetet e vogla dhe ato të peshkimit në det të hapur, që nga ora 06:00 e datës 23 mars.
- Këshillim për drejtuesit e mjeteve lundruese, për të marrë masa të plota sigurie dhe për të vlerësuar me kujdes kushtet në gjirin e Vlorës.
- Anulimi i plotë i lundrimeve ndërkombëtare për pasagjerë e automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë deri në 22:00 të datës 24 mars.
- Pritet përmirësim i situatës meteorologjike për mjetet e vogla dhe peshkimi pas orës 08:00 të datës 25 mars.
Autoritetet kërkojnë bashkëpunim të plotë nga subjektet detare për të siguruar mjetet në port, për të rritur gatishmërinë e ekuipazheve dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm në det.