
UNICEF ka kërkuar heqjen e menjëhershme të ndalesës për shkollimin e vajzave afgane përtej ciklit fillor, një politikë e vendosur nga talibanët që nga rikthimi i tyre në pushtet në vitin 2021. Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët, nëse kjo ndalesë vazhdon deri në vitin 2030, më shumë se 4 milionë vajza do të mbeten pa arsim.
“Pasojat do të zgjasin me gjenerata”
Shefja ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, deklaroi se ndalimi i shkollimit dëmton të ardhmen e vajzave dhe të gjithë Afganistanit:
“Afganistani është vendi i vetëm në botë që u ndalon vajzave shkollimin e mesëm dhe të lartë. Pasojat janë katastrofike”.
Russell theksoi se ky vendim jo vetëm që cenon të drejtën për arsim, por rrit rrezikun për martesat e hershme, dëmton shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe rrënon sistemin shëndetësor dhe ekonomik të vendit.
Kosto njerëzore dhe sociale
UNICEF parashikon se ndalimi i shkollimit do të shkaktojë:
- 1.600 vdekje shtesë të nënave,
- Mbi 3.500 vdekje të foshnjave,
- Mungesë kritike të mjekeve dhe mamive,
- Rënie të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore.
Justifikimet e talibanëve dhe reagimi ndërkombëtar
Talibanët e justifikojnë ndalesën me interpretimin e tyre të Ligjit të Sheriatit, ndërsa kanë lejuar përjashtime të kufizuara vetëm në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, të shoqëruara me kufizime të ashpra.
Në janar, Pakistan organizoi një konferencë ndërkombëtare ku Malala Yousafzai dënoi politikën e talibanëve, duke e quajtur atë “aparteid gjinor” dhe duke i kërkuar udhëheqësve myslimanë të mos e legjitimojnë këtë regjim.
“Talibanët nuk i shohin gratë si qenie njerëzore. Ata i maskojnë krimet e tyre me justifikime kulturore dhe fetare,” – u shpreh Malala në Islamabad.
Apeli i UNICEF është pjesë e një mobilizimi ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtën e vajzave për arsim, në një kohë kur Afganistani mbetet vendi më represiv ndaj grave në botë.