
Në një takim me shqiptarët emigrantë në Napoli, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi një tjetër deklaratë të fortë politike, duke paralajmëruar fundin e qeverisjes së Edi Ramës dhe duke shpallur diasporën si faktor vendimtar për ndryshimin e Shqipërisë në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha tha se Shqipëria po hyn në raundin e fundit të betejës, në një periudhë 50-ditore që sipas tij do të jetë vendimtare për “shpëtimin e vendit dhe shqiptarëve”.
“Kam bindjen më të thellë se ky vit është viti i diasporës shqiptare. Do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë. Prite Edi Rama, po vjen diaspora për t’i dalë zot mëmëdheut,” – tha Berisha para emigrantëve.
Ai vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë ndër vite dhe mikpritjen e kombit italian ndaj valëve të emigracionit nga Shqipëria, duke e cilësuar Italinë një partner të pazëvendësueshëm në historinë e emigracionit shqiptar.
Mesazhi i tij politik ishte i qartë: rrëzimi i Ramës do të vijë përmes fuqisë së votës së diasporës, të cilën Berisha e sheh si aleatin më të madh të Partisë Demokratike në betejën zgjedhore.