Didier Deschamps bie pre e një shakaje gjatë konferencës për shtyp: I bëhet pyetje për një lojtar që nuk ekziston

0

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, u vu në siklet gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes së kthimit në çerekfinalet e UEFA Nations League ndaj Kroacisë, kur një gazetar që pretendonte të përfaqësonte televizionin “TMC” i drejtoi një pyetje për një lojtar kroat të trilluar, të quajtur “Baleglawic”.

Gazetari përmendi disa emra të njohur të skuadrës kroate si Kramariç, Petkoviç, Perisiç dhe Matanoviç, përpara se të shtonte se “Baleglawic po kalon një vit të shkëlqyer” dhe nëse Deschamps kishte ndonjë plan për ta ndalur. Trajneri francez u përgjigj me një deklaratë të përgjithshme:

“I njohim të gjithë kundërshtarët. Nëse ju e dini se kush do të luajë titullar për Kroacinë, më intereson ta di…”.

Sipas RMC Sport, Deschamps e kuptoi vetëm pas përfundimit të konferencës se kishte rënë pre e një mashtrimi nga gazetarët. Episodi ka ngjallur reagime të shumta në Francë dhe ka hapur debat mbi nivelin e informimit të stafit teknik francez për kundërshtarët e tyre.

Pyetja provokuese, e paraqitur si serioze, u interpretua nga disa si një testim i dijes dhe vigjilencës së trajnerit, ndërsa të tjerë e panë si një moment humoristik në prag të një sfide serioze sportive. Gjithsesi, ndodhia ka zënë vend në faqet sportive të mediave franceze dhe ndërkombëtare.

Artikulli i mëparshëmDërgohen në gjyq dy vëllezër për prostitucion dhe pastrim parash përmes qendrave të masazhit
Artikulli i radhësBerisha nga Napoli: “Diaspora do të shpëtojë Shqipërinë, Rama i ka ditët e numëruara”