Rusia sulmon me 147 dronë një ditë para bisedimeve të paqes, shtatë të vdekur në Ukrainë

0

Një valë sulmesh me dronë ka goditur Ukrainën, vetëm një ditë para fillimit të bisedimeve të paqes në Arabinë Saudite. Autoritetet ukrainase njoftuan se të paktën shtatë persona humbën jetën, përfshirë një fëmijë 5-vjeçar, ndërsa 10 të tjerë mbetën të plagosur.

Rusia lëshoi gjithsej 147 dronë, që goditën Kharkivin, Sumyn, Chernihivin, Odesën, Donetskun dhe Kievin. Në kryeqytet, kryebashkiaku Vitali Klitschko e përshkroi sulmin si “masiv”. Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 97 dronë, sipas të dhënave zyrtare.

Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë si një “realitet të përditshëm për popullin ukrainas”. Ndërkohë, Rusia pretendon se ka rrëzuar 59 dronë ukrainas, shumica mbi rajonet Rostov dhe Astrakhan.

Negociatat e paqes, që do të ndërmjetësohen nga SHBA, pritet të nisin të hënën, me takime paraprake midis delegacionit ukrainas dhe zyrtarëve amerikanë. I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, shprehu optimizëm, duke thënë për Fox News se “Putin dëshiron paqe”.

Fokusi i bisedimeve do të jetë një armëpushim i pjesshëm, që synon ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjitike dhe infrastrukturës civile.


Artikulli i mëparshëmTrump i heq lejet e sigurisë Hillary Clinton-it dhe Kamala Harris-it
Artikulli i radhësTom Doshi “rrëmben” komisionerin e dytë të maxhorancës: KQZ njeh Partinë Socialdemokrate si pjesë të qeverisë