Tom Doshi “rrëmben” komisionerin e dytë të maxhorancës: KQZ njeh Partinë Socialdemokrate si pjesë të qeverisë

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë një formulë të ndarjes së komisionerëve për grupet e numërimit të votave, e cila ka ndezur debate politike dhe interpretime të diskutueshme. Sipas projektvendimit, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit do të ketë të drejtën të emërojë një nga katër komisionerët në çdo qendër numërimi – në të njëjtin nivel me Partinë Socialiste.

Sipas rregullave të dakorduara në vitin 2003 mes PS dhe PD, grupet e numërimit duhet të përbëhen nga katër anëtarë: dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Partia Demokratike, që garon në koalicionin opozitar “Shqipëria Madhështore”, do të caktojë dy anëtarët e saj. Por befasia erdhi nga klasifikimi i Partisë Socialdemokrate si parti në pushtet, çka i jep të drejtën të emërojë një komisioner së bashku me PS-në.

Kjo lëvizje ngre pikëpyetje serioze mbi pavarësinë dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke pasur parasysh se kreu i kësaj partie, Tom Doshi, është i sanksionuar nga SHBA për korrupsion madhor. Gjithsesi, KQZ është mbështetur në praktikën parlamentare, pasi deputetët e Doshit kanë votuar pro qeverisë dhe vetë ai e ka shpallur publikisht mbështetjen ndaj Edi Ramës që në vitin 2021.

Kjo përbën një faktor potencial për ndikim në numërimin e votave, në një vend ku komisionerët zgjedhorë shpesh janë akuzuar për manipulime. Kujtojmë se ndarja e balancuar, e cila synon të shmangë dominimin e njërës palë, është vendosur pikërisht për të frenuar konfliktet dhe praktikat e njohura si “kutia e fundit”.

Në zgjedhjet e fundit, Partia Socialdemokrate arriti të marrë 88 mijë vota dhe të sigurojë 115 këshilltarë në pushtetin vendor. Nëse rezultati do të kishte qenë në një garë parlamentare, kjo parti do të përfaqësohej me të paktën 8-9 deputetë, duke e kthyer në një aktore kyçe për çdo shumicë.

Ky zhvillim ka të ngjarë të thellojë tensionet politike përpara zgjedhjeve, veçanërisht për shkak të rolit që Partia Socialdemokrate pritet të luajë në mbikëqyrjen dhe numërimin e votave.

Artikulli i mëparshëmRusia sulmon me 147 dronë një ditë para bisedimeve të paqes, shtatë të vdekur në Ukrainë
Artikulli i radhësBerisha në Napoli: Premton ndryshim politik dhe merr dhuratë simbolike për “fitoren e 11 majit”