
Një ngjarje e rëndë tronditi komunën e Vushtrrisë në Kosovë, ku një pronar furre buke vrau me armë zjarri ish-punonjësen e tij, një grua rreth të 40-ave, dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Sipas informacioneve të para nga familjarët e viktimës, shkak i krimit dyshohet të ketë qenë xhelozia profesionale, pasi gruaja kishte ndërprerë marrëdhënien e punës me autorin për të punuar në një vend tjetër.
I afërmi i viktimës, Rrahim Ajeti, deklaroi se nuk kishte lidhje familjare mes palëve, ndërsa e përshkroi të ndjerën si një grua shembullore dhe pa konflikte. Ai shtoi se edhe bashkëshorti i saj kishte punuar më parë në të njëjtën furrë, por arsyeja e saktë e vrasjes mbetet e paqartë edhe për familjen.
“Dhashtë Zoti të jetë viktima e fundit. Sipas një informate, xhelozia ishte për shkak se kishte shkuar të punonte diku tjetër,” tha ai.
Ngjarja ndodh vetëm një ditë pas një tjetër vrasjeje në të njëjtin qytet, ku një 19-vjeçar u qëllua për vdekje nga një bashkëmoshatar. Vushtrria ndodhet kështu përballë një vale shqetësuese të dhunës që ka prekur komunitetin lokal.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë të detajuar për krimin, ndërkohë hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.