
Vladislav Sourkov, ish-këshilltari i fuqishëm i Kremlinit dhe ideologu i “demokracisë sovrane”, ka dhënë intervistën e tij të parë politike që nga pushtimi rus i Ukrainës. Një figurë enigmatike dhe e heshtur prej vitesh, Sourkov njihet si njeriu që krijoi arkitekturën politike të putinizmit dhe që frymëzoi romanin best-seller “Magjistari i Kremlinit” të Giuliano da Empoli. Edhe pse nuk është më pjesë e strukturave drejtuese, ai thotë se vazhdon të zotërojë të gjitha mekanizmat e sistemit që ndërtoi.
Në këtë intervistë për L’Express, ai thotë se Rusia nuk ka hequr dorë nga objektivat strategjikë në Ukrainë, përkundrazi, ajo po ndjek një rrugë të gjatë drejt ndarjes së vendit që ai e quan një “gjysmë-shtet artificial”. Sipas tij, lufta nuk është vetëm për territorin, por për të ndarë përgjithmonë “Rusinë nga Antirusia”.
Ai prezanton vizionin e tij për të ashtuquajturën “botë ruse” që, sipas tij, nuk ka kufij gjeografikë, por përfshin çdo zonë ku ka ndikim rus, qoftë ai kulturor, ushtarak apo ideologjik. Kjo botë, thotë ai, do të zgjerohet aq sa të lejojë Zoti dhe forca e Rusisë.
Sipas Sourkovit, Perëndimi ka dështuar të kuptojë realitetin kulturor dhe historik të Ukrainës dhe është bërë pjesë e “kolonizimit të saj me forcë”. Ai e konsideron Bashkimin Europian një projekt të ndërtuar mbi rrënojat e Bashkimit Sovjetik, i paaftë të prodhojë vendime efektive për shkak të strukturës së tij të tej-centralizuar por të dobët. Në këtë kontekst, ai flet për nevojën që Europa të zgjedhë mes një federate të vërtetë ose një bashkësie thjesht ekonomike.
Sourkov sheh në të ardhmen një konvergjencë mes Rusisë, SHBA-së dhe Europës – të bashkuara në atë që ai e quan “Veriu global” përballë sfidave demografike dhe kulturore nga jugu. Sipas tij, Perëndimi do të bëhet më autoritar, ndërsa Rusia më e hapur. E gjitha kjo, thotë ai, është çështje mbijetese për civilizimin e përbashkët verior.
Ai e mohon se Trump është një aleat i mundshëm i Rusisë, por pranon se ideologjikisht është më afër Putinit se çdo lider europian. Trump, sipas tij, ka artikuluar parime të ngjashme me ato të putinizmit, si sovraniteti dhe nacionalizmi.
Sourkov pranon se sistemi që ai ndërtoi është i bazuar mbi një arketip monarkik – një model që funksionon vetëm kur ekziston një udhëheqës i fortë, një “car”. Ai thotë se Rusia ka nevojë për një figurë të tillë për të shmangur kaosin, duke u bazuar në përvojat historike të vendit.
Për sa i përket konservatorizmit të rritur në politikën ruse – roli i Kishës, ligjet mbi orientimet seksuale apo etika tradicionale – Sourkov thekson se këto janë të lidhura me “matricën mendore” të popullit rus dhe nuk janë mjete manipulimi, por shtylla identitare.
Në fund, ai e konsideron sistemin aktual të pushtetit si një realizim të vizionit të tij në 99.9%, duke lënë vetëm 0.1% për një reflektim të mundshëm personal. Dhe pyetjes për lumturinë apo lirinë, ai i përgjigjet me citimin e Sartres: “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë.” Por shton se liria, në thelb, nuk është politike – është individuale, është vetëdije.