Conceicao: Zgjodha Milanin për të fituar Champions-in, por çdo ditë më “zëvendësojnë”

0

Trajneri i Milanit, Sergio Conceicao, shpjegon se qëllimi i tij ishte i qartë kur pranoi detyrën në fund të dhjetorit: të fitonte Ligën e Kampionëve. Por ëndrra nisi të përplaset me realitetin shumë më shpejt nga sa pritej.

E zgjodha Milanin sepse dua të fitoj Champions-in. Kjo është arsyeja pse erdha në një nga kampionatet më të forta në botë,” u shpreh ai në eventin Coimbra Football Congress 2025. “E dija që do të kishte vështirësi. Nuk i kam zgjedhur unë lojtarët, nuk kam pasur kohë për stërvitje dhe isha i detyruar të fitoja që në fillim.”

Megjithatë, Conceicao nisi me trofe: fitoi Superkupën e Italisë ndaj Interit që në ndeshjen e tij të dytë zyrtare. Por muajt pasues nuk shkuan aspak sipas planit. Milan u eliminua nga Feyenoord në play-off-et e Champions-it dhe aktualisht është i nënta në Serie A – një renditje që konsiderohet katastrofë për objektivat sezonale të klubit.

“Brenda 30 ditësh luajtëm nëntë ndeshje. Nuk kishim kohë për stërvitje. Ishte e pamundur të vendosja identitetin tim te skuadra. Pas fitores ndaj Interit, barazuam me Cagliarin për shkak të një gabimi individual. Që atëherë, çdo ditë përflitet për një trajner të ri te Milani.”

Problemi i përshtatjes me skuadrën mbetet thelbësor për Conceicaon, i cili ka theksuar më parë se grupi i lojtarëve që trashëgoi nga Paulo Fonseca nuk i përshtatet ideve të tij. Megjithatë, ai veçon portierin Mike Maignan si një lojtar që përputhet me filozofinë e tij.

“Të gjithë duan të ndërtojnë lojën nga mbrapa dhe ashtu bëj edhe unë. Por për ta bërë këtë duhet të kesh lojtarë që janë të aftë ta realizojnë. Te Porto kisha një portier të shkëlqyer për këtë, dhe e kam edhe te Milani.”

Duke reflektuar edhe për jetën jashtë futbollit, Conceicao rrëfen një moment të rëndësishëm nga rinia:
“Për një periudhë ndihmoja familjen, punoja me kushëririn në treg. Ishte një përvojë që më formësoi si njeri. Prandaj këshilla ime është: jetoni jetën me pasion dhe mësoni nga çdo përvojë.”

Me presionin që po shtohet dhe rezultatet që mungojnë, mbetet për t’u parë nëse ëndrra e Champions-it me Milanin do të mbijetojë… apo do të përfundojë si një tjetër eksperiment i dështuar në stolin kuqezi.

Artikulli i mëparshëmNë mendjen e Putinit: Rrëfimi i “magjistarit të Kremlinit” që ndërtoi sistemin rus
Artikulli i radhësTurqia ndalon 9 gazetarë që po mbulonin protestat kundër arrestimit të Imamoglut