
Atmosfera elektrizuese në “Arenën Kombëtare” u ndërpre papritur vetëm tre minuta pas fillimit të sfidës Shqipëri–Andorra, kur Tifozët Kuq e Zi, së bashku me grupimin “Illyrian Elite”, braktisën stadiumin në shenjë proteste. Shkak për këtë veprim drastik u bë moslejimi i tyre në sektorin ultras dhe mungesa e biletave të rezervuara për ta, një çështje që ka shkaktuar tension prej javësh mes tyre dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
“Duka ik!” – ishte thirrja që jehuoi në të gjithë stadiumin, teksa grupimi më i zjarrtë i tifozëve shqiptarë shau në kor presidentin e FSHF-së, Armand Duka, duke e akuzuar për përjashtim dhe diskriminim të qëllimshëm ndaj tifozërisë së organizuar.
Protesta nisi përpara selisë së FSHF-së, ku TKZ kërkoi transparencë dhe përfaqësim të barabartë, ndërsa kulmoi me largimin për 15 minuta nga tribuna e stadiumit. Më pas, ata u rikthyen për të ndjekur pjesën tjetër të ndeshjes, por me një mesazh të qartë: “Futbolli nuk është vetëm i federatës, është i popullit”.
Kjo nuk është hera e parë që tifozët akuzojnë Armand Dukën për keqmenaxhim, mungesë komunikimi dhe arrogancë institucionale. Mospërfshirja e TKZ-së në vendimet e rëndësishme të organizimit të ndeshjeve kombëtare është kthyer në një problem të përsëritur, që tashmë ka eskaluar në një konflikt të hapur mes bazës dhe kryesisë së futbollit shqiptar.
Përballja ndaj Andorrës shënoi një fitore të rëndësishme për kuqezinjtë, por tensioni në shkallët e stadiumit riktheu në qendër të vëmendjes mungesën e bashkëpunimit institucional midis tifozërisë së organizuar dhe FSHF-së, një problem që rrezikon të errësojë klimën rreth Kombëtares në fushatat e ardhshme kualifikuese.