Danimarka vendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë duke barazuar kushtet me burrat

0

Nga viti 2026, Danimarka do të zbatojë për herë të parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë, në të njëjtat kushte si për burrat. Vendimi është marrë nga Ministria e Mbrojtjes me synimin për të rritur kapacitetin mbrojtës të vendit në një periudhë me sfida të reja gjeopolitike dhe sigurie.

Rritje e numrit të rekrutëve dhe përfshirje e grave

Aktualisht, ushtria daneze rekruton rreth 4,700 persona në vit. Sipas planit të ri, deri në vitin 2026 ky numër do të arrijë në 7,500 rekrutë. Gratë që mbushin 18 vjeç pas 1 korrikut 2025 do të përfshihen në këtë skemë të re, duke u bërë pjesë e përzgjedhjes për shërbimin e detyruar ushtarak. Në rast se nuk sigurohet numri i nevojshëm i vullnetarëve, edhe gratë mund të rekrutohen me detyrim.

Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, u shpreh se ky është një hap drejt barazisë gjinore në mbrojtjen kombëtare, duke theksuar se forcat e armatosura do të përfitojnë nga përfshirja e grave në të gjitha nivelet.

25% e rekrutëve aktualë janë gra

Deri tani, gratë kanë marrë pjesë në ushtri vullnetarisht dhe përbëjnë 25% të rekrutëve, por me këtë vendim do të trajtohen në mënyrë të barabartë me burrat për shërbimin e detyrueshëm.

Shërbimi ushtarak zgjatet në 11 muaj

Krahas ndryshimit për përfshirjen e grave, qeveria daneze ka vendosur që nga gushti 2026, kohëzgjatja e shërbimit ushtarak të zgjatet nga 4 muaj në 11 muaj. Kjo nismë synon të forcojë kapacitetin profesional dhe të ndihmojë vendin në përballimin e sfidave të reja të sigurisë.

Danimarka ndjek shembujt e Suedisë dhe Norvegjisë

Me këtë hap, Danimarka bëhet vendi i dytë në BE, pas Suedisë, që vendos shërbimin e detyruar për gratë. Norvegjia, anëtare e NATO-s, por jo e BE-së, ka aplikuar këtë model që prej vitit 2015.


Artikulli i mëparshëmRei Manaj sfidon kapitenin e Arsenalit për çmimin “Lojtari më i Mirë” të raundit në eliminatoret e Botërorit
Artikulli i radhësNuredin Dumani implikon zyrtarë të policisë: Shefi i krimeve më kërkonte 10 mijë euro për informacion për Talo Çelën