
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka lidhur një kontratë me një nga studiot më të njohura ligjore në SHBA, “Kasowitz Benson Torres”, për një tarifë që shkon deri në 2,000 dollarë për orë pune. Kontrata është bërë publike në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe parashikon shërbime ligjore, këshillim strategjik dhe lobim politik, si dhe ndërhyrje në marrëdhënie me publikun në lidhje me autoritetet amerikane dhe çështjet që përfshijnë qeverinë shqiptare.
Pagesat për avokatët e kësaj studioje variojnë nga 500 deri në 1950 dollarë për orë, ndërsa përfshirja e tyre përfshin edhe lobim në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe institucione të tjera federale, për të ndikuar opinionin rreth çështjes ligjore që përfshin Veliajn.
Sipas dokumenteve, përfaqësues të studios amerikane kanë ardhur në Tiranë në fillim të marsit, gjatë një seance të Apelit për masën e sigurisë ndaj Veliajt. Megjithatë, ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në proces për shkak të kufizimeve ligjore të legjislacionit shqiptar.
Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt 2025, me dyshime për përfitime personale dhe përmes të afërmve nga biznesmenë në nëntë raste të ndryshme. Ai mohon akuzat dhe i ka quajtur sulmet si “të motivuara politikisht”. Përmes postimeve në rrjetet sociale, Veliaj ka akuzuar prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin Erion Bani për përndjekje politike, ndërsa publikoi transkripte që janë konsideruar si manipulime të dhënash për të diskredituar prokurorinë dhe gjykatën.
Pas ndalimit të tij, qindra mbështetës organizuan një protestë jashtë gjykatës, duke krijuar tensione dhe shqetësime për sigurinë e trupës gjykuese dhe stafit administrativ.
Ky zhvillim i ri vë në qendër të vëmendjes strategjinë ndërkombëtare mbrojtëse të Veliajt, që synon të influencojë jo vetëm procesin gjyqësor në Shqipëri, por edhe perceptimin ndërkombëtar mbi rastin, përmes lobimit në qarqet amerikane politike dhe mediatike.