
Ndërsa emri i Igli Tares ishte përfolur prej muajsh si një ndër kandidatët kryesorë për postin e drejtorit sportiv te Milani, duket se ish-drejtori i Lazios nuk do të jetë pjesë e skuadrës kuqezi.
Sipas burimeve nga mediat italiane, drejtuesit e Milanit kanë ndryshuar drejtim, duke u fokusuar te Fabio Paratici – ish-drejtori i Juventusit dhe Tottenham. Paratici ka fituar besimin e administratorit të klubit, Giorgio Furlani, dhe konsiderohet tani si zgjedhja më e afërt për këtë pozicion.
Edhe pse Tare u takua me Zlatan Ibrahimoviç, që ka rol vendimtar në projektin e ri të Milanit, duket se ai nuk ka arritur të bindë plotësisht stafin drejtues. Ishte një ndër tre kandidatët kryesorë, por me afrimin e Paraticit drejt marrëveshjes, ai mbetet në pritje për ndonjë mundësi tjetër.
Nëse emërimi i Paraticit zyrtarizohet, kjo do të shënojë një kthesë të rëndësishme në menaxhimin e skuadrës, e cila është në kërkim të stabilitetit dhe rikthimit në majat e futbollit europian.