
Nuredin Dumani, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, ka dhënë një tjetër dëshmi tronditëse gjatë seancës së fundit në Gjykatën e Posaçme. I penduari i drejtësisë ka rrëfyer se një shef krimesh në Elbasan i kishte kërkuar 10 mijë euro në muaj në këmbim të informacionit mbi vendndodhjen e Talo Çelës.
Sipas tij, ky informacion i ishte prezantuar nga Henrik Hoxha, një emër i njohur për autoritetet, si kontakt i drejtpërdrejtë me shefin e krimeve. Dumani deklaroi se ky bashkëpunim me efektivin e policisë kishte për qëllim identifikimin dhe eliminimin e Çelës, për të cilin kishte nisur një ndjekje të vazhdueshme.
Në dëshminë e tij, Dumani përshkroi se kishte marrë rrugën drejt Elbasanit për të ekzekutuar Elton Kilën, me porosi të Suel Çelës, por përfundoi vetë në një atentat. Ai tha se makina që e ndoqi dhe që e qëlloi, sipas përmasave trupore të shoferit, i kujtonte Talo Çelën. Gjatë atentatit, Dumani u plagos dhe më pas u arrestua, fillimisht duke u mjekuar në Spitalin e Fierit dhe më vonë në Spitalin Ushtarak.
Ai tregoi se kishte blerë një mitraloz me 200 fishekë dhe një kallashnikov, armë që i ishin dhënë për atentatin ndaj Kilës. Dumani nuk arriti të kryente vrasjen pasi ra në pritë. Sipas tij, autorët ishin të maskuar dhe nuk mund të identifikoheshin me siguri.
Në seancë, ai u shpreh se nuk kishte dhënë asnjë dëshmi në Prokurorinë dhe Policinë e Elbasanit, duke i quajtur këto institucione “të korruptuara”. Madje, refuzoi që të fliste me drejtuesit e Policisë së Elbasanit dhe Tiranës, duke shtuar se “nuk u kam kthyer përgjigje të korruptuarve”.
Në vijim të dëshmisë, Dumani përmendi edhe emra të tjerë që kanë pasur rol në rrjetin e informacionit dhe të përgatitjes për atentate, përfshirë edhe persona jashtë strukturave zyrtare, të cilët kanë pasur akses në armë, automjete të vjedhura dhe informacione të ndjeshme.
Dëshmia e tij është pjesë e një hetimi të gjerë që po zhvillohet për zbardhjen e vrasjeve të shumta me pagesë, ku Dumani ka pranuar përfshirjen dhe bashkëpunimin me grupe të ndryshme kriminale. Ai ka nisur rrëfimet që nga momenti i arrestimit në mars të vitit 2022 dhe prej asaj kohe ka implikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të policisë, kriminelësh dhe urdhërdhënësish të botës së krimit.