Persona të maskuar hyjnë në ambientet e kompanisë ONE, 8 punonjës procedohen penalisht për moskallëzim të krimit

0

Një ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 dhjetorit 2024 në ambientet e kompanisë telefonike ONE në zonën e Laprakës në Tiranë, është zbuluar nga hetimet e Policisë vetëm së fundmi, duke sjellë pasoja penale për 8 persona.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:30 të mëngjesit, dy persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e brendshme të kompanisë duke dëmtuar drynin e derës së pasme. Pavarësisht veprimit të qartë kriminal, ngjarja nuk është kallëzuar në polici nga punonjësit e sigurisë apo drejtuesit përgjegjës.

Punonjësi i sigurisë së brendshme, G.K., ka pohuar në deklarimin e tij se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale, ndaj nuk e ka njoftuar ngjarjen tek autoritetet, por vetëm tek drejtuesi teknik dhe stafi i kompanisë së sigurisë fizike private. Megjithatë, kjo ka rezultuar në shkelje të rëndë ligjore, pasi përfaqësues të kompanisë kanë qenë në dijeni të incidentit, por kanë zgjedhur të mos informojnë autoritetet kompetente.

Në përfundim të hetimeve, janë proceduar penalisht për moskallëzim të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës:

  • G. K., 50 vjeç – punonjës i sigurisë së brendshme
  • A. F., 31 vjeç – punonjës i sigurisë së brendshme
  • E. S., 38 vjeç – drejtues i departamentit të zyrave dhe pasurisë në ONE

Për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, janë proceduar edhe:

  • A. Z., 54 vjeç – drejtues teknik i sigurisë
  • G. S., 40 vjeç
  • K. V., 63 vjeç
  • M. D., 55 vjeç
  • I. T., 62 vjeç – të gjithë punonjës të shoqërisë private të sigurisë fizike

Ndërkohë, hetimet janë në vazhdim për të identifikuar autorët e hyrjes së paligjshme në ambientet e kompanisë, si dhe për të verifikuar nëse shoqëria e sigurisë ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale.

Ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën e trajtimit të incidenteve të sigurisë në kompani të mëdha private dhe detyrimin e tyre ligjor për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore në rast ngjarjesh të kësaj natyre.

Artikulli i mëparshëmNuredin Dumani implikon zyrtarë të policisë: Shefi i krimeve më kërkonte 10 mijë euro për informacion për Talo Çelën
Artikulli i radhësFushata e Ramës me batuta, por jo me program: Cila është oferta e PS për mandatin e katërt?