Ardit Bido ka falsifikuar dokumente arkivore? Kreu i opozitës bën denoncimin bombë

0
Ardit Bido

Në një deklaratë të fortë publike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kandidatit të PS-së në Vlorë, Ardit Bido, duke i cilësuar si pjesë e një skeme për të grabitur 24 hektarë tokë publike në jug të vendit, konkretisht në Gjirin e Gjipesë.

Sipas Berishës, prona është regjistruar në emër të familjarëve të Ramës përmes falsifikimeve dhe manipulimeve të dokumenteve. Ai theksoi se bëhet fjalë për territore që i përkisnin kishës ortodokse apo ishin prona publike, ndërsa përmendi edhe mangësi serioze në dokumentacionin ligjor dhe mungesën e çdo prove kadastrale për pronësinë e pretenduar nga fisi i Ramës.

Lexo edhe:

Ardit Bido sfidon Edi Ramën: Kandidati i PDIU nën logon e PS përdor TikTok për fushatë elektorale

“Në dosjen e tyre ka falsifikime të paimagjinueshme. Ka ndryshime datash që vetëm falsifikatorët që i kanë bërë i dinë. Roli i Ardit Bidos është jashtëzakonisht i dyshimtë. Nuk ka asnjë dokument që kjo tokë i përkiste të ashtuquajturit stërgjysh i Ramës”, tha Berisha.

Kreu i opozitës akuzoi drejtpërdrejt Ardit Bido, i cili aktualisht është edhe drejtues i Arkivave të Shtetit dhe kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit, për falsifikim të dokumenteve historike në favor të kësaj skeme të përvetësimit të paligjshëm të tokës.

“Është e pabesueshme që në një kohë lufte, Bido ka ‘gjetur’ një dëshmi pronësie që nuk përbën asnjë kategori ligjore,” u shpreh Berisha, duke shtuar se e gjithë historia ka për qëllim të mbulojë një akt të pastër grabitjeje.

Ky denoncim vjen në një kohë kur fushata elektorale po intensifikohet, ndërsa akuzat për korrupsion, privatizime të dyshimta dhe falsifikime në dokumentet zyrtare kanë filluar të dominojnë debatin publik.

Berisha i bëri thirrje drejtësisë të hetojë këtë çështje deri në fund, ndërsa paralajmëroi se “askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë për këtë vjedhje të turpshme të pasurisë së shqiptarëve”.


Artikulli i mëparshëmBE nxjerr bllof Ramën: Cilado parti të fitojë zgjedhjet, do ta ketë derën e anëtarësimit të hapur
Artikulli i radhësRENEA në Afrikë për një 19-vjeçar: Operacion luksi apo propagandë shtetërore?