
Brukseli i përgjigjet fushatës së Ramës: Anëtarësimi në BE nuk lidhet me fitoret elektorale të partive
Bashkimi Europian ka hedhur poshtë publikisht pretendimet elektorale të kryeministrit Edi Rama, i cili në fushatën për zgjedhjet e 11 majit po përpiqet ta paraqesë votën për Partinë Socialiste si një votë për integrimin europian. Në një përgjigje zyrtare për Lapsi.al, Delegacioni i BE në Tiranë ka deklaruar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk varet nga fitorja e ndonjë partie politike, por është një proces meritash që matet me përparimin real në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe reformat institucionale.
Kjo deklaratë bie ndesh me narrativën që Rama ka ndërtuar në takimet e fundit në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër, ku ka lakuar vazhdimisht idenë se një fitore “e thellë” e PS-së do të përshpejtonte procesin e negociatave me BE-në.
Retorika e Ramës: “Votoni PS për të mos mbyllur derën e Europës”
Në tubimet e zhvilluara ditët e fundit, Rama ka përdorur një ton dramatik, duke lidhur fatin e integrimit me votën popullore.
“Nëse më 11 maj Shqipëria i jep Europës një mesazh të qartë se dimë çfarë të bëjmë deri në 2027, kjo do të jetë një shtysë. Por nëse merremi me mustaqet e Kujtim Gjuzit, bëhemi më të dobët në Bruksel,” deklaroi ai në Vlorë.
Në Shkodër, ai shkoi edhe më tej:
“Rezultati i PS-së do të jetë një mesazh për Brukselin. Një shumicë e thellë do të përkthehet në shpejtësi të integrimit.”
Përgjigjja e BE: Vota nuk sjell integrim, reformat po
Delegacioni i BE-së në Tiranë e ka hedhur poshtë këtë propagandë elektorale, duke sqaruar se integrimi është një proces që i takon të gjithë shoqërisë shqiptare, jo vetëm një force politike.
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, duke punuar krah për krah me institucionet shqiptare dhe të gjitha segmentet e shoqërisë,” – thuhet në deklaratën zyrtare.
BE thekson se anëtarësimi në BE nuk mund të blihet me vota, por fitohet me përmbushje standardesh konkrete.
“Është një proces i bazuar në merita dhe çdo kandidat vlerësohet në bazë të progresit të tij,” deklaroi zyra e BE-së në Tiranë.
Europën nuk e sjell fitorja e PS, por standardet dhe liria
Në thelb, ajo që Rama kërkon ta shesë si sukses elektoral personal, BE e përkufizon si proces kombëtar që kërkon konsensus politik, angazhim institucional dhe rezultate konkrete në fusha kyçe si drejtësia, korrupsioni dhe liria e medias.