
Edi Rama, miku i oligarkëve dhe njeriu që ka kthyer Shqipërinë në një parajsë për klientelën e tij, po përdor sërish një instrument propagandistik për të mashtruar qytetarët: rritjen e pagës minimale në 500 euro duke nisur nga janari 2026.
Ky vendim nuk është për qytetarët, nuk është për punëtorët dhe as për shtresat në nevojë. Është një manovër e pastër elektorale, e dizajnuar për të hedhur hi syve dhe për të fshehur të vërtetën: Rama po i shkatërron bizneset e vogla, po i fundos të vetëpunësuarit dhe po i detyron shqiptarët të ikin nga vendi.
Rritja e pagës minimale nuk sjell rritje të mirëqenies, por vetëm rritje të barrës fiskale. Janë pikërisht ata që mbajnë gjallë ekonominë shqiptare – bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit – që do të goditen më fort. Do paguajnë më shumë sigurime, më shumë taksa, më shumë për shtetin që u ka kthyer shpinën dhe i përdor vetëm për të mbushur arkën që shkon tek koncesionet e oligarkëve.
Ndërsa të fortët e qeverisë marrin miliona përmes PPP-ve, qytetari i ndershëm që hap një dyqan, një punishte apo punon vetë, po mbyllet dita-ditës. Kjo nuk është reformë – kjo është një masakër ekonomike ndaj shtresës që punon e nuk vjedh.
Rama nuk po e rrit pagën minimale për të ndihmuar njerëzit. Ai po e rrit për të mbushur gropën e sigurimeve që vetë e ka hapur me politikat që kanë nxitur ikjen masive të të rinjve. Dhe ndërsa shqiptarët largohen, oligarkët qëndrojnë – të mbrojtur, të financuar, të favorizuar.
Ky është realiteti i Shqipërisë së Edi Ramës: një vend ku qeveria punon për pakicën, dhe lufton shumicën. Biznesi i vogël është në prag shuarjeje, jo për shkak të tregut, por për shkak të një shteti grabitqar që sulmon çdo ditë shtyllat e fundit të ekonomisë së ndershme.
11 maji po vjen. Edi Rama nuk kërkon votën për të qeverisur më mirë – ai kërkon të legjitimojë shkatërrimin që i ka bërë këtij vendi. Por shqiptarët nuk hanë më propagandë. Ata e dinë: në Shqipërinë e Ramës, vetëm oligarkët fitojnë.