
Kryeministri Edi Rama ka shtuar së fundmi deklaratat publike që nxisin investimet në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Në takime të ndryshme, ai ka ftuar qytetarët, emigrantët dhe investitorët e huaj të blejnë prona sa më shpejt, duke argumentuar se çmimet do rriten ndjeshëm sapo vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Bleni sot, se nesër do jetë shumë vonë,” është mesazhi i përsëritur i Ramës, i cili referon përvojat e vendeve si Kroacia, ku sipas tij çmimet e pronave janë dyfishuar pas hyrjes në BE. Gjatë forumit “Match-Maker Albania 2025”, ai theksoi se është momenti për të investuar në Shqipëri, pasi vendi është ende i pazbuluar nga tregu ndërkombëtar.
Por në sfond të këtij optimizmi elektoral, që vjen në prag të fushatës, qëndrojnë shqetësime serioze për një flluskë ndërtimi që rrezikon të plasje. Ndonëse Rama nuk e përmend publikisht, të dhënat tregojnë se në Tiranë ka mbi 50 mijë apartamente bosh, ndërkohë që në vitin 2024 janë dhënë leje ndërtimi për 1.9 milionë metra katrorë ndërtim të ri.
Sipas FMN dhe Shoqatës së Bankave, kjo situatë po krijon një mbingopje në treg dhe rrezik financiar për sistemin bankar, i cili ka ekspozim të lartë në sektorin e ndërtimit. FMN ka bërë thirrje për kujdes të veçantë ndaj kreditimit të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar se rritja e çmimeve dhe kredive hipotekore mund të krijojë një krizë të ngjashme me atë të vendeve të tjera që kanë përjetuar kolaps të sektorit.
Kreu i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, është shprehur se “ekspozimi i tepruar në një sektor të ndjeshëm si ndërtimi mund të sjellë pasoja të rënda në rast rënieje çmimesh”.
Ndërkohë që Rama përpiqet të ruajë ritmin e blerjeve, realiteti i tregut dhe shifrat në rënie të shitjeve tregojnë për një klimë të pasigurt. Ndërtuesit nuk i ulin çmimet, por preferojnë të presin sesa të krijojnë panik në treg. Kjo strategji e ngrirjes së ofertës mund ta përkeqësojë situatën.
Rama mund të jetë i vetëdijshëm për rrezikun, por po zgjedh të nxisë investimet për të mbajtur në jetë një sektor që po ngadalësohet. Fjalët e tij nuk janë vetëm thirrje optimiste, por edhe një sinjal i heshtur se flluska është më afër se duket.