
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se shqiptaro-amerikani Alban Dervishi do të marrë komandën e luftanijes amerikane USS Pearl Harbor në qershor 2025. Lajmi është cilësuar si një moment krenarie jo vetëm për komunitetin shqiptar në SHBA, por për gjithë Shqipërinë.
Dervishi, i lindur në Tiranë, është rritur në një familje ushtarake dhe emigroi në SHBA bashkë me familjen e tij 25 vite më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane. Sot, ai është një nga oficerët më të respektuar në flotën detare të SHBA-së, dhe do të marrë komandën e një prej anijeve më të njohura të forcave detare amerikane.
“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me Komandant Alban Dervishin,” – shkruan Ambasada në njoftimin zyrtar në Facebook.
USS Pearl Harbor (LSD 52) është një anije amfibe e klasit Harpers Ferry, pjesë e Flotës së Paqësorit të SHBA-së, e angazhuar në misione të rëndësishme ndërkombëtare në mbështetje të paqes, ndihmës humanitare dhe operacioneve detare.
Kjo arritje tregon suksesin e shqiptarëve në diasporë dhe forcon lidhjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në nivel diplomatik, por edhe përmes historive të suksesit individual si ajo e Dervishit.