
Brukseli jep alarmin për përgatitje emergjente: qytetarët të kenë ushqime, ujë dhe furnizime bazë për të paktën tre ditë
Në një udhëzim të publikuar nga Komisioni Evropian, qytetarëve të BE-së u rekomandohet të grumbullojnë furnizime thelbësore që mjaftojnë për 72 orë në rast të një krize të papritur, përfshirë konflikte të armatosura ose sabotime ndaj infrastrukturës kritike.
Dokumenti 18-faqësh përshkruan një “realitet të ri të mbushur me rreziqe dhe pasiguri”, duke përmendur luftën në Ukrainë, tensionet gjeopolitike, luftën kibernetike dhe akte sabotimi si arsye kyçe për këtë paralajmërim.
Strategjia për Bashkimin Evropian të Gatishmërisë u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për ndërprerje ekstreme, ku faza e parë e krizës është më kritike. Komisioni thekson nevojën për një mentalitet të ri të qëndrueshmërisë dhe vetë-mjaftueshmërisë, përfshirë mësime në shkolla mbi luftën kundër manipulimit të informacionit dhe dezinformimit.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha:
“Realitetet e reja kërkojnë një nivel të ri përgatitjeje në Evropë. Qytetarët, shtetet anëtare dhe bizneset duhet të kenë mjetet e duhura për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt kur ndodhin.”
Gjermania ka marrë tashmë masa të ngjashme, duke përditësuar planin e mbrojtjes kombëtare në qershorin e kaluar, si përgjigje ndaj agresionit rus. Edhe tonet konfrontuese nga administrata e Donald Trump për financimet e NATO-s dhe qëndrimin ndaj Ukrainës kanë nxitur BE-në të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe civile.
Ky paralajmërim i hapur shënon një ndryshim të madh strategjik në politikat e sigurisë së Bashkimit Evropian.