Alarm në tryezat shqiptare: Mish pule me salmonelë futet në treg – AKU fsheh skandalin!

0

Një skandal i rëndë ushqimor ka shpërthyer në Shqipëri pasi 18.3 tonë fileto pule të importuara nga Brazili rezultuan të kontaminuara me bakterin Salmonella Typhimurium. Sasia mbërriti në Portin e Durrësit më 11 mars dhe, sipas analizave të kryera në ISUV më 21 mars, u konfirmua praninë e bakterit të rrezikshëm. Por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk informoi publikun deri pas një jave, duke e lënë konsumatorin të painformuar për një rrezik të drejtpërdrejtë ndaj shëndetit.

Skandali thellohet më tej nga fakti se 13.1 tonë mish dyshohet se kanë hyrë në treg, ndërsa vetëm 5.2 tonë janë arritur të bllokohen. Më shqetësues është fakti që AKU nuk ka zbuluar emrin e kompanisë importuese, duke e mbrojtur atë përmes heshtjes institucionale dhe duke mos bërë transparente as rrjetet e shpërndarjes së mishit të kontaminuar.

Sipas deklaratave të AKU-së, kompania ka dorëzuar fatura fiktive dhe informacion të pasaktë, duke pamundësuar ndjekjen e sasisë së mishit në treg. Rasti është referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa disa nga filetove të ndotura janë zbuluar dhe tërhequr nga 9 njësi tregtare në Vlorë.

Ndërkohë, qytetarët që kanë shfaqur simptoma si temperaturë, të vjella apo diarre ditët e fundit, mund të jenë viktima të këtij skandali të heshtur, duke konsumuar pa dijeni mish të rrezikshëm. Për më tepër, AKU flet për transparencë, por refuzon të tregojë sasinë reale të shpërndarë dhe destinacionet, duke ekspozuar një mungesë të thellë të përgjegjshmërisë publike.

Ky nuk është rasti i vetëm: vetëm pak muaj më parë, 10 ton mandarina të refuzuara nga Kroacia për shkak të pesticideve u rihedhën në tregun shqiptar. Prokuroria e Beratit arrestoi tre persona, përfshirë një inspektor të AKU-së, të cilët kishin shitur mandarinat e helmuara në vend që t’i groposnin sipas ligjit.

Këto ngjarje ekspozojnë një sistem të dështuar kontrolli ushqimor, ku institucionet mbrojnë shkelësit në vend të konsumatorëve. Rreziku shëndetësor është real, ndërsa heshtja zyrtare është po aq e dëmshme sa vetë produktet e rrezikshme.

Artikulli i mëparshëmAmbasada Amerikane paralajmëron: Shkelja e ligjit në SHBA sjell ndalim të përhershëm të hyrjes
Artikulli i radhësA po e pompon Rama flluskën e ndërtimit? FMN paralajmëron për krizë të mundshme