
Pamje tronditëse janë publikuar nga momentet e fundit të nëndetëses turistike “Sindbad” që u fundos në brigjet e Hurghadës, në Detin e Kuq, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave dhe panik masiv mes dhjetëra turistëve në bord.
Nëndetësja, e cila përdorej për eksplorimin e koraleve dhe jetës detare në thellësi deri në 25 metra, u përmbyt në mënyrë të papritur, ndërsa pasagjerët ndodheshin ende në kuvertë me dyert e hapura.
Në videon e publikuar, dëgjohen britmat e pasagjerëve në momentin që uji mbulon mjetin dhe ekuipazhi përpiqet t’i shpëtojë. “Unë isha me familjen time kur uji nisi të hyjë brenda. Një oficer filloi të bërtiste ‘ndal, ndal!’ dhe na shtyu drejt skelës”, tha për mediat një turist që shpëtoi për mrekulli.
Sipas njoftimit zyrtar të konsullatës ruse në Hurghada, në bord ndodheshin 45 turistë rusë përveç ekuipazhit. Ende nuk është bërë e ditur kombësia e viktimave.
Nëndetësja kishte dritare të mëdha panoramike, të dizajnuara për të vëzhguar botën nënujore të Detit të Kuq, por dyshohet se një defekt teknik ose një neglizhencë në procedurat e sigurisë mund të ketë shkaktuar tragjedinë.
Hetimet janë në vijim dhe autoritetet egjiptiane kanë nisur analizimin e kutisë së zezë dhe dëshmive të pasagjerëve.
Ky incident ka sjellë shqetësim të thellë për sigurinë e turizmit detar në Egjipt, një vend që mbështetet ndjeshëm në vizitorët që eksplorojnë bukuritë nënujore të Detit të Kuq.