PD akuzon Ramën për blerje të pajisjes së përgjimit DPI: “Shqiptarët po përgohen në fshehtësi”

0

Partia Demokratike ka lëshuar një tjetër denoncim të fortë ndaj qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për blerjen dhe përdorimin e teknologjisë së përgjimit Deep Packet Inspection (DPI), një mjet i njohur për kontrollin dhe përgimin e komunikimeve dixhitale në kohë reale.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, theksoi se kjo teknologji është një kërcënim serioz ndaj privatësisë, lirisë së fjalës dhe demokracisë në Shqipëri.

“Një kryeministër që blen dhe përdor DPI nuk është thjesht i pushtuar nga paranoja – ai është një njeri që ka frikë nga populli i tij,” tha Garo.
“Kjo pajisje e përdorur në fshehtësi për të monitoruar qytetarët, është e paligjshme dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike.”

Sipas PD-së, qëllimi i vërtetë pas mbylljes së TikTok dhe platformave të tjera sociale është pikërisht përfshirja e kësaj teknologjie, për të përgjuar lëvizjet, komunikimet dhe qëndrimet e qytetarëve në internet.

Garo u zotua se nëse Sali Berisha rikthehet në pushtet, privatësia e qytetarëve do të jetë e paprekshme, dhe asnjë platformë nuk do të mbyllet pa bazë ligjore.

“Shqiptarë, zgjohuni! Shqipëria po fundoset në errësirën e përgjimeve dhe manipulimit. Është koha të mbrojmë të drejtat tona dhe të shpëtojmë demokracinë,” u shpreh ajo në fund të deklaratës.


Artikulli i mëparshëmFitër Bajrami në Tiranë, falja në Sheshin “Skënderbej” më 30 mars
Artikulli i radhësShqiptari Alban Dervishi në krye të luftanijes amerikane USS Pearl Harbor