
Kryeministri Edi Rama organizoi mbrëmjen e sotme një iftar ceremonial për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit mysliman dhe figura të njohura publike. Në fjalën e mbajtur përpara të pranishmëve, Rama u ndal te simbolika e bashkimit dhe reflektimit shpirtëror që sjell Ramazani.
“Kjo sofër tradicionale më jep një ndjesi gati fëminore, gëzimi. Në një ditë të tillë, jeta duket më e bukur dhe më e lehtë,” u shpreh ai, duke përmendur gjithashtu xhaminë e Ballies në Elbasan, e vlerësuar ndërkombëtarisht për arkitekturën, dhe xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, si simbole të bashkëjetesës fetare dhe zhvillimit kulturor të vendit.
Në vijim, Rama theksoi se myslimanët shqiptarë nuk janë problem, por vlerë e shtuar për Bashkimin Europian.
“BE-ja do të ketë mbi 60 milionë myslimanë në pak vite, ndërsa popullsia myslimane në Shqipëri është shumë më e vogël. Megjithatë, ata përfaqësojnë një kontribut të çmuar për harmoninë, tolerancën dhe integrimin,” deklaroi kryeministri.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur procesi i integrimit europian i Shqipërisë është në qendër të debatit publik dhe politik, ndërsa Rama vijon të theksojë vlerat bashkëkohore të shoqërisë shqiptare si bazë për anëtarësimin në BE.