
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë ata që synojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së me viza. Në një postim në rrjetin “X”, ambasada thekson se çdo individ i huaj që shkel ligjet amerikane mund të përballet me masa të rënda, përfshirë refuzimin e vizës, revokimin e saj dhe madje edhe ndalimin e përhershëm të hyrjes në SHBA.
Në njoftim thuhet se masat vlejnë për të gjithë kategoritë e vizitorëve, përfshirë edhe studentët. Ambasada ka bërë të qartë se çdo vend sovran ka të drejtën të kontrollojë se kush hyn në territorin e tij dhe për çfarë qëllimi.
Ky paralajmërim vjen pak ditë pas një tjetër deklarate të Ambasadës Amerikane, e cila nënvizonte se kontrolli i individëve nuk mbaron me dhënien e vizës, por vijon edhe pas hyrjes së tyre në SHBA.
“Nëse nuk ndiqen të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të ShBA-së, viza do të revokohet dhe personi do të dëbohet”, thekson ambasada.
Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas ambasadës, është i përkushtuar të garantojë sigurinë dhe integritetin kombëtar, duke aplikuar politika gjithnjë e më rigoroze për kontrollin e vizave dhe të udhëtarëve.
Ky qëndrim i prerë është një mesazh i qartë për të gjithë ata që kanë në plan të vizitojnë SHBA-në: respektimi i ligjit është parakusht absolut.