
Partia Demokratike ka shpërthyer sot me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kandidatit të PS-së në Vlorë, Ardit Bido, duke e akuzuar për shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se Bido vazhdon të mbajë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, ndërkohë që ka nisur fushatën elektorale për deputet. Sipas PD-së, kjo përbën një shkelje të nenit 63 të Kodit Zgjedhor, që ndalon zyrtarët e lartë të adminstratës të kandidojnë pa dhënë dorëheqjen nga detyra.
“Ky është një abuzim i hapur me ligjin,” – theksoi Vangjeli, duke i bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta përjashtojë menjëherë Ardit Bidon nga lista e kandidatëve.
Në mbështetje të akuzës, PD citon edhe një urdhër të nënshkruar nga vetë Bido më 12 mars 2025, ku ai ngarkon zëvendësdrejtorin në detyrë, ndërsa vetë ruan funksionin si titullar, çka nënkupton se nuk ka dhënë dorëheqjen.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Bido mund të ketë shkelur edhe nenin 91 të Kodit Zgjedhor, që ndalon përdorimin e burimeve publike për fushatë. Sipas PD-së, pozicioni i tij si drejtues i një institucioni publik i jep akses te burimet njerëzore dhe materiale të shtetit, të cilat mund të përdoren për qëllime elektorale.
“Ardit Bido është ende zyrtarisht në detyrë. Ai nuk ka bërë asnjë akt dorëheqjeje, por përpiqet të maskojë këtë fakt me një urdhër të brendshëm,” – vijon deklarata e PD-së.
Në përfundim, PD i kërkon KQZ-së të zbatojë ligjin dhe të përjashtojë Bido nga gara, duke theksuar se ai “është kandidat i konfirmuar i PS-së, por i pa dorëhequr me vetëdije.”
Kjo çështje pritet të krijojë përplasje të forta politike, ndërsa tensionet zgjedhore po rriten në prag të 11 majit.