
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u bë sot skena e një ceremonie madhështore: fronëzimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joani, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Një moment historik dhe simbolik për ringritjen dhe forcimin e misionit shpirtëror të Kishës në vend.
Qindra besimtarë morën pjesë në këtë ceremoni të rrallë, e cila mblodhi në Tiranë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar si dhe delegacione nga 13 Kisha Orthodhokse të botës. Prania e patriarkëve dhe klerikëve nga vende të ndryshme nënvizoi rëndësinë ndërkombëtare të këtij eventi shpirtëror.
Ky fronëzim vjen në një moment delikat për Kishën, por gjithashtu shënon një etapë të re të angazhimit për forcimin institucional dhe ringjalljen e rolit të saj në shoqëri.
Të dielën, më 30 mars, do të zhvillohet edhe liturgjia e parë Kryepriftërore nën drejtimin e Kryepiskopit Joan, me pjesëmarrjen e Sinodit të Shenjtë, gjithashtu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.
Fortlumturia e Tij, Joani, konsiderohet pasardhës shpirtëror i figurave të mëdha si Fan Noli dhe Anastasi Janullatos, dhe tashmë mban mbi supe besimin dhe shpresën e mijëra besimtarëve orthodhoksë në Shqipëri.
Ceremonia e sotme nuk është vetëm një akt zyrtar, por një mesazh për unitet, rilindje dhe përkushtim të ri të Kishës ndaj vlerave shpirtërore, kombëtare dhe shoqërore.