
Në ceremoninë solemne të fronëzimit të tij, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joani, ka dhënë një mesazh të fuqishëm shpirtëror dhe shoqëror, duke u ndalur veçanërisht te të rinjtë shqiptarë dhe roli i Kishës në shoqëri.
“Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, por me forcë e besim do t’i shërbejmë Kishës dhe njerëzve të saj,” deklaroi Kryepiskopi i ri, ndërsa u lut që Zoti t’i japë forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision të shenjtë.
Thelbi i mesazhit të tij ishte qartë: ndalimi i emigrimit masiv dhe dashuria për atdheun.
“Të rinjtë duhet të inkurajohen të mos braktisin vendin, por ta duan atë, të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen këtu,” u shpreh ai.
Joani theksoi gjithashtu se Kisha Orthodhokse do të vijojë të jetë një forcë paqeje, dialogu dhe bashkëpunimi me të gjithë, pavarësisht përkatësive fetare apo ideologjike. Në përmbyllje, ai i kërkoi Zotit të “bekojë dhe ndriçojë Shqipërinë.”
Ky fjalim i parë si Kryepiskop është një sinjal i qartë për një rrugë të re të udhëhequr nga vlerat e shpresës, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut.