Nga rrënimi te ringritja: Mesazhi historik i Kryepiskopit Joani për forcimin e Kishës dhe shoqërisë

0

Në ceremoninë e fronëzimit të tij si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani ka dhënë një mesazh të fuqishëm dhe frymëzues, duke rikujtuar ringritjen e Kishës nga persekutimi dhe duke shtruar vizionin për të ardhmen.

“Jam i vetëdijshëm për peshën e madhe mbi supet e mia të dobëta,” u shpreh Joani, duke theksuar se shpresa e tij qëndron vetëm te Zoti. Ai falënderoi për kontributin historik të martirëve, shenjtorëve, Imzot Fan Nolit dhe Kryepiskopit Anastas, të cilët mbollën dritën e besimit në kohë të errëta.

Kryepiskopi nënvizoi se sfidat e shekullit XXI – humbja e vlerave, teknologjia, pluralizmi – kërkojnë zgjidhje krijuese dhe një Kisha të fortë e të bashkuar.
“Forcimi i unitetit është thelbësor që dëshmia jonë për Krishtin të jetë e besueshme,” tha ai.

Ai rikujtoi gjithashtu rëndësinë e familjes si qeliza bazë e shoqërisë dhe bashkëjetesës fetare si një pasuri që duhet mbrojtur dhe forcuar. Në mënyrë të veçantë, u bëri thirrje të rinjve të mos e braktisin vendin, por të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, me dashuri dhe sakrificë.

“Një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar. Jeta merr kuptim kur shërbejmë të tjerëve,” theksoi Joani, duke e mbyllur me një lutje që Perëndia ta ndriçojë dhe bekojë Shqipërinë.

Ky mesazh i gjerë, i thellë dhe me tone shpirtërore e kombëtare, shënon një epokë të re për Kishën dhe shoqërinë shqiptare nën udhëheqjen e tij.


Artikulli i mëparshëmMesazh i fortë nga Kryepiskopi Joani: Inkurajoni të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri
Artikulli i radhësNdryshimi i orës nesër: Ora 2:00 kalon në 3:00 – çfarë duhet të dini