
Gjatë një vizite me diasporën shqiptare në Kretë, kryeministri Edi Rama ka vijuar fushatën e tij me tone ironike, duke goditur opozitën dhe partitë e reja që kanë hyrë në garë për zgjedhjet e 2025-ës. Me një gjuhë që ka ngjallur reagime të menjëhershme, Rama ka thënë se “integrimin në BE nuk mund ta bëjë bufi i kënetës”.
Retorikë tallëse dhe goditje ndaj partive të reja
“Nuk mund ta bëjë dikush që vjen këtu dhe ju premton gjithçka, ndërkohë që nuk ka gjë në dorë e as do të ketë. Këtë nuk mund ta bëjë bufi i kënetës. Bufi i kënetës thotë se është i mençur dhe i bukur si Athinaja…”, – deklaroi Rama para bashkatdhetarëve në Kretë, duke përdorur një metaforë që shumëkush e ka lexuar si sulm direkt ndaj një prej liderëve opozitarë.
Ai shtoi se partitë e reja janë “shitës qilimash” që mbushin listat zgjedhore me anëtarë të familjes së tyre. “Në listat e kandidatëve kanë babanë, mamanë, xhaxhanë… nuk kanë aq njerëz që t’i vënë në lista,” – theksoi Rama me sarkazëm.
“Skuadra më e re dhe më e vjetër”: Retorika e vetëlavdërimit
Duke folur për Partinë Socialiste, Rama theksoi se ndryshe nga të tjerët, PS ofron një “skuadër të plotë” në çdo qark. “Jam krenar sepse i kemi dhënë shqiptarëve brenda dhe jashtë një skuadër të partisë më të re dhe më të vjetër,” – tha ai, duke ringjallur retorikën klasike të fushatës së kontrolluar nga lart-poshtë.
Analizë: Kush është bufi dhe kush është kënetë?
Deklaratat e Ramës në Kretë nuk janë vetëm folklor politik. Ato janë një përpjekje për të delegjitimuar çdo sfidë ndaj dominimit të tij personal dhe të PS-së në skenën politike. Por pyetja që ngrihet natyrshëm është: Nëse opozita është “bufi i kënetës”, kush e ka ngritur dhe mbajtur gjallë kënetën për 11 vite me radhë?
Në një kohë kur shqiptarët në emigracion kërkojnë transparencë, ide të reja dhe përfaqësim të sinqertë, Rama ofron metafora të lodhura dhe batuta për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit.
A do të mbulohet mungesa e rezultateve me sarkazëm?
Në fund të ditës, çdo fjalim mund të duartrokitet, por çdo votë do të peshohet mbi bilancin e veprimeve – jo të fjalëve. Dhe shqiptarët, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, nuk janë as bufë, as të kënetës.