
Edi Rama ka ndezur sërish motorët e propagandës me slloganin e radhës: “Shqipëria në Bashkimin Europian në 2030!”. Me poza të kuruara, fjalime patetike dhe batuta për “shpifarakët”, kryeministri shet iluzionin e Europës ndërkohë që qytetarët blejnë fileto pule me salmonelë.
Ndërsa ai rend nga një konferencë në tjetrën duke shpallur integrimin “të pashmangshëm”, realiteti është ky: mbi 18 ton mish pule të infektuar janë shitur në tregjet shqiptare. Me këtë qeveri, integrimi europian mund të mbetet vetëm një broçkull mediatike, por një gjë është e sigurt – gastroenterologët kanë të garantuar punën për dekadën që vjen.
Model suksesi me standarde mesjetare?!
Nëse i dëgjon fjalimet e Ramës, Shqipëria është një perlë e qeverisjes – e penguar vetëm nga “dështakët” dhe “shpifarakët”. Por kur realiteti nëpër pjatat e shqiptarëve është salmonela dhe helmime masive, lind pyetja: ku janë kontrollet? Ku janë institucionet? Dhe si mund të jesh afër Europës kur ushqimi ka standarde të epokës së errët?
Brukseli ose… banjoja?
Nëse Shqipëria 2030 do të drejtohet me të njëjtin stil grotesk ku shfaqja ka më shumë rëndësi se funksioni, qytetarët më mirë të përgatiten për rrugë drejt tualetit sesa drejt Brukselit. Sepse një vend ku propaganda ka përparësi ndaj shëndetit publik nuk ka vend në Europë – as në 2030, as më vonë.
E vetmja shpresë e vërtetë? Që një ditë të kuptohet se një shtet nuk ndërtohet me foto, buzëqeshje dhe fraza boshe, por me institucione që funksionojnë dhe një shtet që mbron qytetarët e vet – jo që i helmon në heshtje.